2011-07-15 16:21:57

Shqipëri: Gjykata jep vendimin, Basha kryetar Bashkie në Tiranë


Në Shqipëri Kolegji Zgjedhor përmbylli procesin e zgjedhjeve në Tiranë me ndarjen e mandateve të këshillit bashkiak, ku u shpall fitues Lulzim Basha, ndërsa tani mbeten vetëm disa procedura burokratike që Basha të nisë punën në krye të këtij institucioni.Basha, i shpallur si fitues i zgjedhjeve lokale të 8 majit depozitoi dy ditë më parë kërkesën për njohjen e vendimit që e përcakton atë si kreun e ri të bashkisë së kryeqytetit.
Sot Gjykata e Tiranës vendosi të miratojë kërkesën e kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për vërtetimin e mandatit për Kryetar Bashkie të kryeqytetit. Kështu deklaroi sot paradite, gjykatësja Elbana Lluri. Sipas procedurës që parashikon ligji në Shqipëri për pushtetin lokal, kreu i Bashkisë më të madhe në vend, pajiset me një vërtetim të tillë, që tregon se procesi i ankimimit në Kolegjin Zgjedhor të gjykatës së Apelit ka përfunduar dhe ai mund të nisë detyrën, me konstituimin edhe të këshillit të ri bashkiak.
Avokatët e Bashës, që depozituan dy dite më parë kërkesën në gjykatëe, i janë referuar Ligjit “për organizimin e funksionimin e pushtetit vendor”, në të cilin saktësohet se mandati i kryetarit të Bashkisë apo komunës vërtetohet nga Gjykata.
“Mandati i kryetarit të komunës ose bashkisë vërtetohet nga Gjykata, në juridiksionin e së cilës përfshihet komuna ose bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij”, thuhet në pikën e parë të nenit 40 të këtij ligji.
Së bashku me padinë, përfaqësuesit e Bashës kanë dorëzuar në Gjykatë edhe vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor, vendimin e KQZ-së që shpall kandidatin demokrat fitues me 93 vota më shumë si dhe tabelat për secilën KZAZ të Tiranës me rezultatin përfundimtar për të gjitha qendrat e votimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.