2011-07-15 16:22:33

Papa është shumë i shqetësuar për emergjencën në Somali. Cor Unum dërgon ndihmën e parë.


Këshilli Papnor “Cor Unum”, duke shprehur shqetësimin dhe solidaritetin e Papës, që vijon ta ndjekë nga afër situatën e rëndë të Somalisë, vendosi të dërgojë, në emër të Atit të Shenjtë, ndihmën e parë, prej 50 mijë eurosh. Shuma iu besua administratorit apostolik, ipeshkvit të Gjibutit, imzot Gjorgjo Bertin. Lajmi u njoftua nga i njëjti dikaster i Vatikanit i cili, pikërisht sot, kremtoi 40-vjetorin e themelimit. Kujtojmë se u themelua me dëshirën e Papës Pali VI.

Uri e etje, dy kërkesa jetike për njeriun. Që shumëkush i plotëson pa kurrfarë mundimi e pa i shkuar as nëpër mend se duhet të jetë i lumtur, vetëm pse nuk ka uri, as etje. Ashtu si kanë somalezët, që i drejtojnë botës një thirrje pa përgjigje, për ndihmë. Prej trevash, kthyer në shkretëtirën më të keqe, që mund të mendohet, në tokë të plasaritur nga thatësira e të përvëluar nga dielli. Vulë e tragjedisë së një populli, që po vdes buzë ujit, i papirë e pranë sofrës, i pangrënë. I gjithë Briri i Afrikës është tejet i ligështuar. Dhjetë-njëmbëdhjetë milionë njerëz – aq sa banorët e Portugalisë – vuajnë nga thatësira e pamëshirshme, që vret njerëz e mbyt kafshë, që i than deri në rrënjë të mbjellat, në një zonë, e cila vijon të zgjerohet, duke përfshirë edhe Etiopinë e Kenien, ku, në veri, nuk bie shi që prej një viti. Drama nuk është e re. Përsëritet prej kohe. E Benedikti XVI, që e ka shumë për zemër Afrikën, vijon ta kujtojë vazhdimisht Somalinë e gjunjëzuar nga etja e uria. Gjashtë muaj pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit, duke iu drejtuar ipeshkvijve të Etiopisë dhe të Eritresë, së pari kujtoi pikërisht këta njerëz të martirizuar:
“Ju inkurajoj t’u shprehni solidaritetin në të gjitha mënyrat e mundshme, vëllezërve e motrave tuaja të vuajtura në Somali, ku mungesa stabilitetit politik e bën pothuasje të pamundur jetën e njeriut”(Audienca me ipeshkvijtë e Etiopisë e të Eritresë, 17 tetor 2005).
Më 2007, kryeqyteti i Somalisë, Mogadisho, ishte fushë beteje. Luftohej shtëpi më shtëpi, një luftë e brendshme pa pikë mëshire, vetëm e vetëm për epërsi politike. Pasojat qenë grumbujt e të vdekurve pa varr, që qelbeshin nën diellin përvëlues, rrugëve të kryeqytetit. Ndërmjet marsit e prillit, nga lufta, u kalua në kaos. Dhjetra mijëra civilë morën arratinë e vdiqën, gjatë ushtrimit të një dhune mizore, e cila solli katastrofën humanitare, që vijoi muaj e muaj e që Benedikti XVI e njeh mirë:
“Ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet e ngjarjeve e u bëj thirrje të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi politike, në nivel lokal e ndërkombëtar, të gjejnë sa më shpejt rrugëzgjidhje paqësore e t’i lehtësojnë vuajtjet e këtyre popullsive të dashura. U jap zemër edhe të gjithë atyre, që në këtë situatë pasigurie e shkretimi, kanë guximin të mbeten në vend, për t’i ndihmuar, me se munden, banorët në mjerim”(Audienca e përgjithshme, 21 nëntor 2007).
Në një botë, ku ndërvartësia e shteteve na mësoi, ndonëse jo aq shpejt, ta globalizojmë edhe konceptin e solidaritetit, Kisha duket gjithnjë në skenë e, nganjëherë, koordinon, me strukturat e Karitasit, veprimtarinë e ndihmës, në rastet e emergjencave. Në mënyrë të veçantë Papa, falë largpamësisë së Palit VI, që e themeloi, më 15 korrik 1971 – ka në dispozicion dikasterin “Cor Unum” – “Një zemër e vetme” - për të arritur sa më shpejt në epiqendër të mjerimit, si shenjë e afërsisë së menjëhershme, në përpjekjen për të shëruar plagë, që s’presin. Është shenjë e dukshme e dashurisë për njeriun, pasqyrim i dashurisë hyjnore, që synon ta përmirësojë, edhe praktikisht, jetën njerëzore:
Veprimtaria për të përmirësuar, lidhet drejtpëdrejt me jetën e misionin e këtij dikasteri, sepse shpëtimi i Krishtit është i gjithanshëm; e përfshin njeriun në të gjitha përmasat: fizike e shpirtërore, shoqërore e kulturore, tokësore e qiellore. Pikërisht nga kjo vetëdije lindën, në rrjedhë shekujsh, shumë vepra e struktura kishtare, me synimin për të përmirësuar jetën e njerëzve e të popujve, që dhanë e vijojnë të japin një kontribut të pazëvendësueshëm për rritjen e zhvillimin e harmonishëm e të gjithanshëm të njeriut”.
Këto fjalë të Papës janë shumë domethënëse, sepse iu drejtuan, një vit më parë, pikërisht anëtarëve të Cor Unum. Të bashkëpunosh për ndërtimin e një rendi të drejtë në shoqëri, ripohoi me këtë rast Papa, bën pjesë në dëshmimin e dashurisë së Krishtit për njeriun:
Kisha, me kumtimin e Ungjillit, hap zemrën për Zotin e për të afërmin e zgjon, kështu, ndërgjegjet, me forcën e kumtimit të saj, mbron të drejtat e vërteta të njeriut dhe impenjohet për drejtësinë. Feja është forcë shpirtërore, që pastron arsyen në kërkim të një rendi të drejtë, duke e çliruar nga rreziku, gjithnjë i pranishëm, i verbimit nga egoizmi, nga interesat vetjake e nga etja për pushtet” (Audienca me Këshillin Papnor Cor Unum, 13 nëntor 2009).







All the contents on this site are copyrighted ©.