Lindur, ndoshta, në vitin 1217 e vdekur më 1274, shën Bonaventa jetoi në shekullin
XII, epokë në të cilën feja e krishterë, që kishte depërtuar thellësisht në kulturën
e në shoqërinë e Evropës, frymëzoi shumë vepra të pavdekshme në lëmin e letërsisë,
të arteve pamore, të filozofisë e të teologjisë. Ndërmjet figurave të mëdha të krishtera,
që dhanë ndihmesë të shquar në krijimin e harmonisë ndërmjet fesë e kulturës, mund
të kujtojmë pikërisht shën Bonaventurën, njeri i veprimit e i kundrimit, i përshpirtërisë
e i qeverisjes së urtë. U pagëzua me emrin Gjovani Fidanca të cilin, kur veshi zhgunin
françeskan, e ndërroi me emrin Bonaventuara. Studioi në një shkollë të njohur të Parisit,
ku mori titullin ‘Mjeshtër i Arteve’, të cilin mund ta krahasojmë me dëftesën e liceve
më të shquara të kohëve tona. Si shumë të rinj të kohës së tij, e edhe të kohës sonë,
Gjoni nisi t’i bëjë vetes një pyetje themelore: “Ç’duhet të bëj në jetë?” I mahnitur
nga dëshmia ungjillore e Fretërve të Vegjël, që kishin arritur në Paris, trokiti në
portën e Kuvendit françeskan të qytetit e kërkoi të pranohej në gjirin e familjes
së bijve të Shën Françeskut. Rreth vitit 1243 veshi zhgunin e mori emrin Bonaventura.
Vijoi me zell të ri studimet, duke ndjekur fakultetin e Teologjisë në Universitetin
e Parisit, e njëkohësisht, edhe shumë kurse impenjative, të domosdoshme për karrierën
akademike. Studioi thellësisht Shkrimin Shenjt, Sentencat e Pietro Lombardit, Doracakun
e teologjisë së kohës, autorët më të rëndësishëm të teologjisë e, duke u takuar vazhdimisht
me mësues e studentë të teologjisë, që vinin në Paris, arriti të fitojë pjekuri e
ndjeshmëri të thellë shpirtërore personale, me vlerë të madhe. E kështu u bë një nga
teologët më të rëndësishëm të historisë së Kishës. Na la trashëgim veprat:Breviloquium
(Hyrje në teologjinë skolastike) Collationes de decem praeceptis (Përmbledhje për
dhjetë Urdhërimet e Tënzot) Collationes de septem donis Spiritus Sanctis (Përmbledhje
për shtatë dhantitë e Shpirtit Shenjt) Collationes in Hexaemeron (Përmbledhje në
Gjashtë Ditët e Krijimit ) Commentaria in quattuor libros sententiarum Magistri
Petri Lombardi (Koment i katër librave të sentencave të mjeshtrit Pietro Lombardi)
De mysterio Trinitatis (Misteri i Trinisë Shenjte: çështje shumë të debatuara)
De perfectione vitae ad sorores (Përsosuria e jetës për motrat) De reductione
artium ad theologiam (Shikim i arteve përmes teologjisë) De Regno Dei descripto
in parabolis evangelicis (Mbretëria e Zotit përshkruar në shembëlltyra ungjillore) De
scientia Christi et mysterio Trinitatis (Njohja e Krishtit dhe misteri i Trinisë) De
sex alis Seraphin (Gjashtë flatrat e Serafinëve) De triplici via (Udha e trifishtë) Itineriarium
mentis in Deum (Shtegtim i mendjes në Zotin) Legenda Sancti Francisci (Gojëdhëna
e Shën Françskut) Lignum vitae (Druri i jetës) Officium de passione Domini (Detyrat
që kanë të bëjnë me Mundimet e Zotit) Quaestiones de perfectione evangelica (Çështje
mbi persosurinë ungjillore) Summa theologiae (Përmbledhje e teologjisë) Vitis
mystica (Jetë mistike) Ta bëjmë tonën trashëgiminë, që na la ky Dijetar i shquar
i Kishës, i cili na kujton domethënien e jetës, me fjalët: “Mbi tokë… mund ta kundrojmë
pafundësinë hyjnore përmes arsyetimit e admirimit; ndërsa në atdheun qiellor, përmes
vegimit, kur të bëhemi të ngjashëm me Zotin, e përmes ekstazës.. do të hyjmë në galdimin
e Hyjit”(Njohja e Krishtit).