2011-07-15 18:16:27

I kushtohet kujtimit të monsinjor Eleuterio Fortinos, Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve 2012.


“Të gjithë do të shndërrohen nga fitorja e Krishtit” (Kor.15,51-58) – kështu titullohet Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, 2012, që do të mbahet në Poloni, njëkohësisht me Kampionatin evropian të futbollit, për të nënvizuar se rivaliteti është karakteristikë e përhershme, e jo vetëm në sport, por edhe në fushën politike, tregtare, kulturore, e deri në jetën e Kishës.
Materiali ndihmës – shkruhet në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano” - i kushtohet kujtimit të monsinjor Eleuterio Fortinos, zevendës-sekretar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, vdekur më 2010, që shkriu gjithë jetën për këtë kauzë. Tetëditshi i lutjes ishte një nga pasionet e tij të mëdha, sepse dëshmonte vlerën e lutjes e të përmasës shpirtërore. Prej këndej mund të themi se Monsinjor Fortino ishte bërë mishërim i ekumenizmit. Kishte aftësinë të fliste për të vërtetat e fesë katolike, duke përdorur argumente të fuqishme, por pa e prekur kurrë në sedër bashkëbiseduesin, në sa diskutohej për zgjidhjen e problemeve më të mprehta, që pengojnë pikërisht bashkimin e plotë të të krishterëve. Arbëreshi i madh luftoi me të gjitha forcat për të afruar sa më shumë ditën, kur Kisha do të marrë frymë me të dyja mushkëritë. Shkriu gjithë jetën, që në botën perëndimore të njiheshin e të vlerësoheshin thesaret e përshpirtërisë lindore.







All the contents on this site are copyrighted ©.