2011-07-15 17:01:42

Atë Lombardi: “Mos e harroni Somalinë!”.


Përsëri për Afrikën vijon të flasë atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe i Radios sonë. Javën e kaluar u ndalua, me kënaqësi, në Juba, ku lindi Sudani i Jugut, i ndarë nga Sudani, me vullnetin e një populli, që rifitoi lirinë. Ndërsa sot ndjek me shqetësim të thellë një situatë tjetër, dramatike, atë të Bririt të Afrikës e, posaçërisht, të Somalisë, së shkretuar nga thatësira, të tronditur nga uria e etja, të masakruar nga ndeshjet e grupeve politike rivale e të piratëve, të cilët u zënë pritë anijeve, që lundrojnë në bregedetin e saj, ndërsa mijëra vetë ikin në vendet fqinje, duke lënë pas të vdekur të panumërt, sidomos fëmijë. Bëhet fjalë për 10 milionë njerëz, të etur, të uritur, të tmerruar, që kërkojnë të jetojnë e që prandaj ikin nga një vend, ku vdekja grin e korr.
E pikërisht në gjurmët e tyre ecën sot atë Federiko Lombardi, në editorialin e kësaj fundjave për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit, të cilin e titullon: “Mos e harroni Somalinë!”, për të rizgjuar në opinionin botëror ndjenjën e përgjegjësisë e të solidaritetit:
“Thatësira, që po i shkreton trevat e Bririt të Afrikës, ka krijuar një situatë dramatike emergjence humanitare, viktimë e parë e së cilës është popullsia somale. Uria e etja i shtyjnë njerëz të panumërt, thellësisht të dëshpëruar, të kërkojnë ndihmë, duke ikur edhe drejt vendeve fqinje e duke i mbushur, sa më s’zënë, kampet e refugjatëve, ku arrijnë të paktën dy mijë vetë në ditë. Flitet për marshime kapitëse në këmbë, me rrezikun e grabitjeve nga cubat, e për fëmijë, që sulmohen deri prej lukunive të hienave.
Në korrik të vitit 1989, imzot Salvator Kolombo, ipeshkëv i Mogadishos, u mbyt para portës së katedrales. Që asokohe, administratori apostolik i dioqezës, detyrohet të strehohet jashtë vendit. Në vitin 2003, infermierja laike, Analena Toneli, u vra me pushkë në Somaliland; pas saj, i erdhi radha Motrës Leonella Zgorbati, që vdiq – siç pati kujtuar Papa më 7 janar 2007 – duke i kërkuar Zotit falje për vrasësit. Janë tre emra, që mjaftojnë për të treguar se Kisha katolike është e pranishme e vuan së bashku me popullin somal, por viktimat tashmë janë të pallogaritshme, edhe në gjirin e konfesioneve të tjera të krishtera, që sulmohen thjesht për shkak të urrejtjes së integralistëve kundër krishterimit, e të popullsisë, për shkak të luftës së armatosur ndërmjet grupeve të ndryshme politike dhe etnike. Që prej njëzet vjetësh vendi është pa qeveri; në brigjet e tij vlon pirateria; shumë veprimtarë humanitarë janë detyruar ta braktisin impenjimin e tyre, për shkak të dhunës e të kërcënimeve, që u bëhen vazhdimisht.Ndonëse Papa e kujton Somalinë çdo vit, në fjalimin e tij drejtuar diplomatëve, është krijuar ideja se opinioni publik dhe bashkësia ndërkombëtare janë dorëzuar para një situate të tillë, duke e braktisur vendin në fatin e vet. Do ta harrojmë edhe ne? Apo pamjet e tmerrshme e thirrjet, ngarkuar me ankth, të këtyre ditëve, do t’ia dalin mbanësh ta zgjojnë ndjenjën tonë të përgjegjësisë e të solidaritetit?”.







All the contents on this site are copyrighted ©.