Më 14 korrik kalendari Kishtar përkujton Shën Kamilin de Lelis, meshtar
Sot më 14 korrik kalendari përkujton shën Kamilin de Lelis, meshtar (25.5.1550 -14.7.1614)
Shën Kamili lindi më 25 maj të vitit 1550 në Bukianiko afër Kietit prej një familje
fisnike. Posa u rrit meqenëse nuk studionte, shkoi si ushtar mercenar për të luftuar
për Spanjën, pastaj për Venecien. I humbi të gjitha fitimet e pasuritë me lojë, u
sëmur në këmbë e shtrohet për shërbim në spitalin romak të shën Jakut. Posa shërohet
nga plaga, kthehet si ushtar mercenar për të luftuar për Venecien, pastaj për Spanjën
e përfundon pa asgjë pas shpirtit në Pulja të Italisë. Këtu u vu në shërbim të Etërve
Kapuçinë në Manfredonia.
U kthye në rrugën e Zotit dhe vendos të hyn në Urdhrin
e Kapuçinëve, por plaga shpërthen përsëri e për t’u shëruar kthehet në Romë në spitalin
e shën Jakut të të Pashëruarve, ku iu u ndihmonte sidomos të sëmurve.
Iu përkushtua
Krishtit të Kryqëzuar, e rifilloi studimet në Kolegjin Romak dhe, pasi u shugurua
meshtar, me disa miq, themeloi “Shoqërinë e mbarështuesve të të sëmurëve”, që sot
janë të pranishëm me veprimtarinë e tyre në mbarë botën si dhe në Shqipëri, e njihen
me emrin e Kamilianëve dhe të motrave rregulltare Kamiliane.
Në vitin 1591,
Papa e njohu zyrtarisht Kongregatën rregulltare. Kamili vdiq në Romë më 14 korrik
1614. Vepra e tij u përhap me shpejtësi në mbarë botën, duke çuar kudo dashurinë e
Krishtit, i cili është gjithnjë i pranishëm tek njeriu i sëmurë.
Vërtetohet
kështu lutja që shën Kamili pëlqente më shumë e të cilën e përsëriste më shpesh: “Do
të desha një zemër të madh sa vetë bota!”. Një zemër që i zë të gjithë njerëzit. Jetoi
me moton: “T’u shërbesh të varfërve, do të thotë t’i shërbesh vetë Krishtit”. Kamili
gjeti kështu idealin, për të cilin ia vlen të shkrish të gjitha energjitë e jetës.