2011-07-14 10:40:11

Dom Simon Jubani: Autobiografi


Sot, kur dom Simon Jubanin e përcollën në banesën e fundit, po e kujtojmë duke ndjekur shkurtimisht, hap pas hapi, jetën e tij të jashtëzakonshme, ku ndrit, me dritën e pambaruar, prania e Zotit, që e ndihmoi të duronte torturat më mizore e të arrinte i gjallë në Ditën e madhe të rikthimit të Zotit në trojet shqiptare. Madje, t’ia kumtonte popullit të vet, i pari, këtë rikthim. Ja disa fragmente nga autobiografia e tij.

Linda në Shkodër, më 5 mars 1927. Prindët e mi, Zefi e Çilja, katolikë të devotshëm, i falën Kishës e Atdheut një martir intelektual, Dom Lazër Jubanin, helmue me arsenik nga policia sekrete komuniste më 1982.
Në moshën 16-vjeçare, i thirrun prej Zotit, hyna në Shkollën Apostolike për t’u ba jezuit. Në marc të vjetës 1946, kur komunistët shqiptarë, nga frika e një përmbysje të shpejtë, suprimuen, sekuestruen e shkatërruen të gjitha shkollat katolike tradicionale, prej të cilave ka mësue me shkrue e me lexue mbarë Kombi, m’u desht me ndërrue vend e bankë. U ula, pa dashtë, në bankat e Gjimnazit të Shtetit. Në vijim u transferova në Tiranë, ku kreva një kurs radio-rontgen. Mbasi punova për pak kohë në spitalin ushtarak të kryeqytetit, u mobilizova në ushtri. Mue, që dishrojshe aq shumë me u ba jezuit, misionar, predikatar i paqës ungjillore, m’u desht me veshë uniformën e gjelbër, me ngjeshë armën vrastare e me u nisë drejt kufinit jugor… Mbas tri vjet vuejtjesh në ushtri, që në kujtesën time mbeten njëlloj të tmerrshme, si ato të burgut, ktheva rishtas në Shkodër, ku u paraqita menjëherë te Imzot Ernest Çoba, të cilit iu luta me më shugurue meshtar. Ipeshkvi shenjt e martir më këshilloj të pres. M’u desht ta rifillojshe, për të fitue bukën e gojës, profesionin në radiologjinë e Sanatoriumit të Shkodrës, ndërsa për ta mbajtë trupin në formë, sportin që më pëlqente aq shumë: atletikën e lehtë e jo ma pak edhe futbollin... Në vjetën 1957- 1958 mora urdhnat e meshtarisë dhe u nisa në Mirditë si famullitar, për të mbajtë gjallë e në kambë fenë dhe kishat e dhetueme nga ateizmi. Tue pasë kenë gjithmonë arrë gungçe, iu kushtova apostullimit të hapun, sepse nuk më ka pëlqye kurrë me luejtë rolet e mbas kuinatve. Por çka më pëlqente mue, nuk i pëlqente komunistëve, të cilët më vunë prangat e më banë me u nisë për një rrugë të gjatë e të mundimshme, tue e lanë Mirditën me katër meshtarë.
Në këtë rrugë do të përshkohesha për 26 vjet me radhë, tue lanë kudo gjurmë gjaku. Gjithnjë militant aktiv, ballë për ballë katilëve e spijujve të Burrelit, u lirova më 13 prill 1989 bashkë me klerikë të tjerë, në saje të Perestrojkës, tue i mbetë borxh 14 vjet burgim Komitetit Qëndror…
U ktheva përsëri gjallë. Në shtëpinë teme të vjetër, rranzë mureve të Rrëmajit, nën hijen e çinarëve e të selvive. Kjo shtëpi u ba menjëherë Kishë, ashtu si ishin ba edhe banesat e 27 meshtarëve, teprue prej shpatës gjithnjë të mprehun të Enverit…
Me 11 nandor... në kapelën e Rrëmajit…në mjedis të terrorit komunist, kur dihej e s’dihej ç’ka po ndodhte e, sidomos, çka mund të ndodhte, kremtova Meshën e dytë publike, mbas asaj të 4 nandorit 1990; këtë herë me një fjalim të mirëpërgatitun, programatik, që thente heshtjen 23 vjeçare të katakombeve…
Jam i pari shqiptar i mbas perestrojkës, që asht thirrë në audiencë nga Papa Gjon Pali II. I pari klerik pa kurrfarë gradet, që ftohet dy herë nga administrata amerikane në Washington, një herë nga parlamenti Rus, shumë herë nga Franca, Italia, Belgjika, Gjermania, një herë nga Spanja, Izraeli, Egjipti, Turqia…
Vijoj të shtegtoj me kënaqësi ndër Kishat motra dhe institucionet tjera jo të krishtena, të përhapuna kudo nëpër glob, e vijoj të punoj me të gjitha forcat për Kishën katolike në Shqipni, si ushtar i thjeshtë i Krishtit.
Më ka pëlqye gjithmonë apostullimi i rrezikshëm, atje ku ateizmi ka hedhë ma shumë farë të së keqes e ku, si pasojë, ka mbi egërsia, mënia, padija, krimi…
Baj pjesë në partinë e të vorfënve, të masakruemve, të viktimave të së djeshmes e të së sotmes. Kam lé shkodranë, po plakem mirditor. Po mundohem të ndërtoj, çka ka shkatërrue e vijon të shkatërrojë klasa politike…
Kam krye universitetin e burgut komunist, ku vijova të mësoj çka deshten me më ba me harrue kur më dëbuen prej jezuitëve. Mësova, pra, me folë e me shkrue latinisht, greqisht, italisht, frëngjisht, anglisht. Më vleftën, sepse mujta me mbushë faqe të tana gazetash në gjithë rruzullin tokësor, me i ba shumë miq Shqipnisë…
Falënderoj përzemërsisht misionarët e misionaret që na ka dërgue Selia Shenjte për rilindjen e Kishës në Shqipni, veçanërisht italianët të cilëve, tue kenë me kulturë qytetare kristiane, përfaqësues të një Kontinenti të pagëzuem dhe të Kishës tradicinale në Europë, u takon t’ia transmetojnë të gjitha këto pasuni popullit shqiptar. Falënderoj edhe kosovarët, që kanë ardhë me punue në vneshtën e shpartallueme të Krishtit në Shqipni…
Kisha në përendim mbahet nga ndihmat e besimtarëve, prandaj nuk kam sesi të mos i kritikoj katolikët dhe jo katolikët shqiptarë, që pretendojnë me pasë gjithçka prej saj, sikur të ishte një multinacionale me bilanc pozitiv…
Nuk jam njeriu i mitingjeve, por i elterit, i kumbonëve, i qirave, i Meshëve, i dialogut ekumenik. Mbes deri në dekë bir i padejë i Shkodrës historike, martire, demokrate, të panënshtrueme. Prej saj pranoj me përvujtni çdo gjykim!

Dom Simon Jubani, Burgjet e Mia; Biblioteka Shkodra, 2, Shkodër 2001, Dalë nga Tipografia U. Detti, Romë, 2001; fq10-19.







All the contents on this site are copyrighted ©.