2011-07-14 15:49:21

Dhembja e Papës për shugurimin e ri të paligjshëm ipeshkvnor në Kinë.


Një ngjarje që “ndiqet e shikohet me dhembje dhe shqetësim”, sepse është kundër “bashkimit të Kishës universale”. Me këto fjalë drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, e komentoi lajmin e shugurimit të paligjshëm ipeshkvnor të atë Jozef Huang Bingzhang, kremtuar sot në qytetin Shantou. Në këtë shugurim ipeshkvnor u detyruan të merrnin pjesë edhe disa ipeshkvij tjerë kinezë që janë në bashkim të plotë me Papën.
Me shugurimin e paligjshëm ipeshkvnor në Shantou, në rajonin kinez të Giandongut, është hapur një plagë e re në indin e Kishës katolike kineze, edhe ashtu e goditur, jo më larg se para dy javësh, nga një gjest i ngjashëm, me shugurimin e ipeshkvit të Leshanit, edhe ai pa mandatit papnor. Rezulton që me rastin e shugurimit të sotëm, janë bërë presione mbi disa prelat kinezë që janë në bashkim të plotë me Papën për të marrë pjesë detyrimisht në këtë shugurim të paligjshëm ipeshkvnor, pavarësisht refuzimit të tyre shpreh mëparshëm. Ngjarja shton më tej hidhërimin e Papës, që pat kujtuar, në një Deklaratë të shpallur publikisht më 4 korrik, se një ipeshkëv i shuguruar “ pa mandatin papnor e këndej në mënyrë të paligjshme, nuk ka autoritet për qeverisjen, do të thotë për udhëheqjen e bashkësisë katolike dioqezane” e si pasojë pra “Selia e Shenjtë nuk e njeh dhe nuk e pranon” si ipeshkëv i dioqezës që i është besuar përgjegjësisë së tij.
Dokumenti i Vatikanit përfundonte duke shpreh dëshirën e Benediktit XVI drejtuar “besimtarëve të dashur në Kinë me një fjalë inkurajuese e shprese, duke i ftuar t’i lutën Zotit e të jenë të bashkuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.