2011-07-13 17:39:43

Uri e thatësirë në Somali. Imzot Bertin e quan katastrofa më e madhe humanitare e botës.


Katastrofë humanitare: kështu mund të quhet kjo, që po ndodh në Somalinë e shkretuar nga një thatësirë e tmerrshme, e cila po u shkakton vuajtje të papërshkrueshme miliona njerëzve. Qindra mijëra burra, gra, fëmijë e pleq, po marrin arratinë drejt vendeve fqinje, në kërkim të ujit e të ushqimit, ndërsa bota vijon, pa pikë mëshire, spekullimet; vijon të ngrejë çmimet e sendeve ushqimore; vijon të blejë kotësi, me çmimin e jetëve të njerëzve më të ligësht, banorë të vendeve të harruara, lënë në mëshirën e elementeve të natyrës, njerkë, për ata, që nuk janë në gjendja ta shfrytëzojnë me urti. Katërqindmijë somalezë janë grumbulluar në kampin e refugjatëve të Dadaabit, në Kenia. Ndihmat humanitare arrijnë me shumë vonesë e situata, për të cilën flet, në mikrofonin tonë, administratori apostolik i Mogadishos, ipeshkvi i Gjibutit, imzot Gjorgjio Bertin, bëhet çdo ditë më dramatike:

Përgjigje: - Mendoj se është plotësisht e vërtetë që kjo fatkeqësi, siç thotë edhe OKB-ja, është më e madhja e kohëve tona në mbarë botën. Etje për ujë, në Somali, por edhe etje për një autoritet, për t’i prirë këtij populli, që po vdes për një pikë ujë e për një kafshatë bukë, edhe pse i mungon drejtimi, shteti, posaçërisht në qendër-jug të vendit. Prej këndej, thatësira, që vijon të shkretojë edhe disa zona të vendeve fqinje, si Etiopia dhe Kenia, e edhe vetë Gjibuti, ku ndodhem unë, nuk janë aq shkatrrimtare, si në Somalinë qendër-jugore, sepse atje ka edhe mungesë sigurie e luftime të vijueshme ndërmjet grupeve të ndryshme. Popullsitë më të goditura po dynden drejt kampeve të refugjatëve në Kenia e në Etiopinë Jugore.

Pyetje: - Ç’ndihma marrin këta refugjatë?

Përgjigje: - Është e vështirë që ndihmat të arrijnë në kohën e duhur në Somalinë qendër-jugore, sepse këtu mungon siguria. Ndonëse kohët e fundit grupi që kontrollon pjesën kryesore të kësaj zone, Shabab quhet, ka pohuar se çdo Organizatë jo qeveritare mirëpritet, mjafton të respektojë kulturën e fenë e vendit.

Pyetje: - Viktimat kryesore të kësaj situate kaq kritike janë fëmijët…

Përgjigje: - E qartë se fëmijët janë më të brishtët, por nuk duhen harruar as pleqtë. Projekti ynë në Jubën e poshtër, përfshin fëmijët nën moshën 10 vjeçare, e edhe një numër të konsiderueshëm të moshuarish, që jetojnë pa asnjë ndihmë familjare.

Pyetje: - Flitet për një gjysëm milioni fëmijësh, në rrezik jete…

Përgjigje: - Po, këto shifra janë reale.

Pyetje: - Në këtë gjëmë, ç’po bën bashkësia ndërkombëtare?

Përgjigje: - Bashkësia ndërkombëtare po mobilizohet. Por ndjehet nevoja për koordinim.

Pyetje: - Kisha po vijon të ndihmojë, përmes Karitasit e partnerëve të Karitasit. Por, si paraqitet veprimtaria e Kishës në Somali, parë në përgjithësi?

Përgjigje: - Në Somali Kisha, struktura kishtare, është shkatërruar 20 vjet më parë. Megjithatë, vijojmë një farë veprimtarie, përmes Karitasit. Në mënyrë të posaçme, gjatë këtyre viteve të fundit, duke pasur parasysh se na mungon personeli ynë, kemi punuar me partnerët vendas.

Pyetje: - A mund të shpresojë Somalia se një ditë do të jetë shtet!

Përgjigje: - Them se duhet shpresuar gjithnjë, duhet ngulmuar se, shpejt a vonë, do të arrihet ky qëllim. Ndoshta-ndoshta edhe thatësira e madhe, që vijon ta shkretojë vendin, mund ta shtyjë popullsinë të përpiqet për ta rindërtuar Shtetin e vet. Ëndërr, kjo, për të gjithë këta njerëz të etur për ujë, të uritur për bukë, të dëshiriuar për të qenë të sigurtë në vatrën e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.