2011-07-13 17:40:01

Papa do të presë kryeministrin malezian. Një hap para drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.


Gjatë periudhës së pushimeve në Kastel Gandolfo, është parashikuar një takim i Benediktit XVI me kryeministrin e Malezisë, Naxhib Razak. Pas kërkesës nga ana e autoriteteve të Malezisë, Papa u tregua i gatshëm për të biseduar me përfaqësuesin e vendit aziatik. Njoftimin e jep atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit.
Takimi është me rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh se shumica e banorëve të vendit të madh të lindjes së largët, është myslimane, por në gjirin e saj jeton edhe një pakicë katolikësh, që japin një kontribut tejet të rëndësishëm. Të krishterët përbëjnë 8% të popullsisë, katolikët, 3%.
Malezia nuk ka marrëdhënie diplomatike me Vatikanin e, sipas burimeve qeveritare të Kuala Lumpur-it, audienca e 18 korrikut të ardhshëm është një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e lidhjeve të mundshme të drejtpërdrejta ndërmjet dy shteteve. Shtypi malezian e shikon si tepër të rëndësishëm takimin e kryeministrit të vendit, me Benediktin XVI, të cilin gazetat e maleziane e cilësojnë si liderin më të rëndësishëm të krishterë.
Është takimi i dytë i një kryeminstri të Malezisë me një papë. I pari është ai i kryeministrit malezian Tun dr Mahathir Mohamad me Gjon Palin II, në vitin 2002.
Në shtypin malezian pasqyrohet fuqimisht dëshira për ta bindur opinionin se Malezia është komb, ku sundon Islami i moderuar, ashtu siç është i moderuar edhe qëndrimi i kryeministrit, sidomos kur është fjala për respektimin e të drejtave të pakicave fetare ose etnike, që bashkëjetojnë në këtë vend. Pikërisht këto ditë edhe në Malezi kanë nisur manifestime të mëdha proteste, ashtu si në mbarë botën arabe. Ndërmjet tjerash demonstruesit kërkojnë reforma në fushën elektorale e kushtetuese.







All the contents on this site are copyrighted ©.