Dom Simon Jubani, prifti i qëndresës antikomuniste e dëshmitari i kalvarit të shqiptarëve
Në Shkodër pranë ambienteve të Kishës Katedrale në Shkodër (tek Salla Kard. Koliqi)
vazhdojnë nderimet e fundit të besimtarëve katolikë e qytetarëve në nder të dom Simon
Jubanit, që ndërroi jetë dje në moshën 84 vjeçare. Dom Simon Jubani qe dëshmitar i
martirizimit të kishës, i përndjekjeve të tmerrshme të klerit, të besimtarëve e të
qytetarëve shqiptarë nga diktatura ateiste e komunizmit. Mesha për shpirtin e tij
do të kremtohet nesër, e enjte 14 korrik 2011 në orën 10:00 në Kishën Katedrale të
Shkodrës. Pas Meshës përcjellja e tij për në varrezat e Rrmajit Shkodër, të cilat
vet i pat bekuar më 1990 pas shkeljes 50 vjeçare të të pafeve. Figurë poliedrike,
dom Simoni qe i zgjuar, i qëndrueshëm, vëzhgues i vëmendshëm i realitetit shqiptare:
atij kishtar, shoqëror, kulturor e politik. Me temperament të zjarrtë, qe përherë
i gatshëm për këdo, hokatar, por edhe mbrojtës i patrembur i të vërtetave të fesë
dhe i vlerave ungjillore e atyre kombëtare. Mbylli sytë duke besuar thellësisht se
vetëm tek Zoti do të ketë drejtësi e shpërblim. · Dom Simon Jubani lindi në Shkodër,
me 8 mars 1927 nga prindërit Zef e Çile që kishin një familje katolike të devotshme
dhe i falen Kishës e Atdheut dy meshtar: një martir intelektual, dom Lazër Jubani,
helmuar me arsenik nga policia sekrete komuniste me 1982, dhe të guximshmin dom Simon
Jubanin. Në moshën 16-vjeçare, i thirrur prej Zotit, hyri në Shkollën Apostolike (Kolegjin
Saverian) në Shkodër për t'u bë rregulltar jezuit. Në mars të vitit 1946, kur u shkatërruan
të gjitha shkollat katolike tradicionale, i'u deshtë të hynte në Gjimnazin e Shtetit.
Në vijim u transferua në Tiranë, ku kryen një kurs radiografie. Punon për pak kohë
në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit. Kthehet rishtas në Shkodër dhe ndërkohë punon
në radiologjinë e Sanatoriumit të Shkodrës, ndërsa aktivizohej në sport: atletiken
e lehtë dhe futbollin. Angazhohet në ekipin e Vllaznisë. Më 4 maj 1958 shugurohet
meshtar nga Imzot Ernest Çoba dhe dërgohet të shërbej në Abacinë e Mirditës. Arrestohet
në vitin 1963 dhe vuan 26 vite burg. Gjithnjë militant aktiv, ballë për ballë katilëve
e spiunëve komunistë të burgut të Burrelit, u lirua më 13 prill 1989 bashke me klerikë
të tjerë. Dom Simon Jubani është pikërisht ai meshtar që më 4 e 11 nëntor 1990 kremtoi
Meshën e parë publike tek Varrezat e Rrmalit në Shkodër duke u bërë nismëtari i rihapjes
së Kishës dhe Tempujve të Zotit në Shqipëri. Për këtë kontribut të çmueshëm mbarëkombëtar,
që Zoti ia besoi, Universiteti amerikan i San Franciskos në Kaliforni në vitin 1991
i akordoi diplomën "Doctor Honoris Causa" në shkenca humane me motivacionin: "Protagonist
i një epoke të re në Shqipni". Pas komunizmit për disa vite shërben përsëri në malet
e Mirditës dhe dekadën e fundit me përkushtim dhe besnikëri shërbeu në përvujtërinë
e rrëfystores së Katedrales së Shkodrës.