Benedikti XVI dhe Shenjtoret e Mesjetës, gjeni femërore, në shërbim të Kishës e të
njerëzimit.
Muajt e fundit, gjatë audiencave të përgjithshme, Benedikti XVI i kushtoi një cikël
të tërë katekizmi, jetës dhe veprave të disa shenjtoreve të mëdha të Mesjetës. Nga
shtatori i vitit të kaluar, deri në janarin e vitit në vijim, Papa realizoi një galeri
të vërtetë portretesh, kushtuar disa prej femrave gjeniale, që lanë gjurmë të pashlyeshme
në historinë e krishterimit, në Evropë e në Botë.
Gjon Pali II pati vënë, plot
mirënjohje e admirim, theksin mbi kontributin e shkëlqyer të grave në Kishë, duke
u kushtuar, më 1988 “Mulieris dignitatem”. Benedikti XVI e vijon këtë
rrugë, me pikturimin e figurave të veçanta, duke krijuar, kështu, një enciklopedi
të vërtetë, që përfshin jetët e shenjtoreve më të njohura të Kishës Katolike. Sot
ne po ndalemi tek Shenjtoret e mëdha të kohëve të vjetra, për të dëshmuar, me Papën
Vojtila, se në të gjitha epokat, gjenia femërore ka qenë gur themeli në ndërtesën
shpirtërore të Kishës. Duke e filluar në shtator 2010 ciklin e katekizmit kushtuar
Shenjtoreve mesjetare, Benedikti XVI citonte një fragment nga “Mulieris dignitatem”: “Kisha
– lexojmë në të – falënderon Zotin për të gjitha shfaqjet e gjenisë femërore në rrjedhë
të historisë, në gjirin e popujve e të kombeve; e falënderon për të gjitha karizmat,
që Shpirti Shenjt ndikon mbi gratë në historinë e popullit të Zotit; për të gjitha
fitoret, që arriti falë fesë, shpresës, dashurisë së tyre të krishterë; për të gjitha
frytet e shenjtërisë femërore. Edhe në ato shekuj të historisë, që ne i quajmë Mesjetë,
shumë figura femërore spikasin për shenjtërinë e jetës e pasurinë e mësimeve të tyre”(Audienca
e përgjithshme, 1 shtator 2010). Kështu Papa shndërrohet në një
rrëfimtar, që nis të tregojë disa histori tejet interesante. Flet për figura të mirënjohura,
por edhe pak të njohura, që ndezin drita bamirësie e urtie në vitet e ashtuquajtura
“të errëta” të historisë evropiane, pas vitit 1000. Për muaj e muaj, përmes fjalëve
të Papës, para syve të Kishës bashkëkohore, u riduken gratë, që e lartuan ngrehinën,
mbi themelet e bashkësive të para të krishtera, një mijë vjet më parë. Nga murga poliedrike
benediktine, Hildegarda e Bingenit, femër gjeniale, me aftësi të rralla në
të gjitha fushat e kulturës e të artit: shkrimtare e shquar, muzikante e kozmologe,
tek vajza zemër-zjarrtë, Zhana d’Ark, mike e së vërtetës së Ungjillit e, prej këndej,
armike e të gjithë atyre, që i kundërvihen Lajmit të mirë të Zotit të kryqëzuar e
të ngjallur. Mirësia, guximi e pastërtia e jashtëzakonshme: këto ishin cilësitë
kryesore të karakterit të fshatares së thjeshtë franceze që, në vitin 1431, u shndërrua
nga Zoti në luftëtare të pathyeshme të lirisë e në shenjtore. Benedikti XVI e krahason
me Shën Katerinën e Sienës, pajtore e Italisë dhe e Evropës. Dy gra, të dala nga gjiri
i popullit; dy laike; dy vasha, që kishin bërë kushtin e virgjërisë, dy mistike, të
impenjuara jashtë kiostrit, në mes të realiteteve më dramatike të Kishës e të botës
të kohës së tyre. Dy gra, të cilat u ngjasin fort grave të shenjta, që ndenjën mbi
Kalvar, kur Jezusi gozhdohej e vdiste mbi kryq, ndërsa apostujt kishin ikur të tmerruar.
Gra të forta, të cilat aty nga fundi i Mesjetës, përhapën pa frikë dritën e madhe
të Ungjillit në ngjarjet e ndërlikuara të historisë. Jemi në vitet e çarjes së madhe,
kur Kisha e Perëndimit shkëputej nga Kisha e Lindjes, ndërsa Evropa tronditej vazhdimisht
nga konflikte të rënda, të pafundme. Mjafton të kujtojmë se Franca e Anglia kishin
njëqind vjet që nuk e pushonin atë luftë, e cila mbeti në histori me emrin “Lufta
njëqindvjeçare”. Zhana, pa i mbushur mirë të shtatëmbëdhjetë vjetët, hyri në arenën
politike, duke ndërmjetësuar, pa sukses, për arritjen e paqes së drejtë ndërmjet dy
popujve të krishterë, të kacafytur për jetë a vdekje. Atëherë rroku armët e u priu
luftëtarëve në betejën për çlirimin e Orleanit. Në kulmin e betejës, u kap nga armiqtë.
U burgos, u gjykua nga gjykatës kishtarë, u dënua si heretike e u dogj e gjallë mbi
turrën e druve. E megjithatë...:
“... Shën Zhanë D’Ark
na fton për ta jetuar thellësisht jetën e krishterë, për ta bërë lutjen fill përcjellës
të ditëve tona; për të pasur besim të plotë në vullnetin e Zotit, sido që të jetë;
për ta jetuar dashurinë e krishterë, pa pritur asnjë shpërblim, pa i vënë caqe, e
duke e shoqëruar dashurinë për Jezusin, ashtu si ajo, me një dashuri të thellë për
Kishën”(Audienca e përgjithshme, 26 janar 2011). Ndërmjet portreteve
të mistikeve e të grave aktive, pikënisja e të cilave është dashuria për Krishtin,
e pikarritja, dashuria për njerëzimin, që duhet të ecë në rrugën ku prin Jezusi, është
edhe Shën Kiara e Asizit. Ja si e përshkuan Papa Shenjtoren, që mbeti në historinë
e Kishës si shembull i kristianizmit, i lutjes, i kundrimit: “Kjara, në të
vërtetë, fshihej; e megjithatë, jetën e saj e panë të gjithë. Kjara heshtëte, por
fama e saj fliste me zë shumë të lartë. Të tillë janë shenjtorët, që e shndërrojnë
botën, i prijnë në rrugën e mirë, duke shkrirë të gjitha energjitë, të cilat vetëm
dashuria e frymëzuar nga Ungjilli mund të ngjallë në zemrën e njeriut. Shenjtorët
janëbamirës të mëdhenj të njerëzimit”(Audienca e
përgjithshme, 15 shtator 2010). Një figurë tjetër e madhe, në enciklopedinë
e Papës, është Shenjtorja Mbretëreshë, që doli nga muret e kiostrit e ato të kështjellës:
Shën Elizabeta e Hungarisë. Së bashku me fatin e saj, Ludovikun, sundimtar i Turingjisë,
Elizabeta dëshmoi vlerat e krishtera, si në jetën e oborrit mbretëror, ashtu edhe
në drejtimin e mbretërisë, duke i kushtuar vëmendje të posaçme të varfërve. Mbretëresha
e vuri kurorën, simbolin e pushtetit mbretëror, tek këmbët e Kryqit, ku u kryqëzua
Krishti, Mbreti i kurorëzuar me gjemba, duke kaluar shumë kohë e gjunjëzuar përdhe.
Deri në këtë pikë arriti përvujtëria e Elizabetës së Hungarisë, mbretëreshës së Turingjisë,
feja e së cilës e shkandullonte oborrin mbretëror. Duke përshkruar shkurtimisht çastet
kryesore të jetës së sundimtares mesjetare e duke vënë, sidomos, në dukje, lirinë
e madhe të ndërgjegjes me të cilën i jetonte bindjet e saj fetare, pa marrë fare parasysh
se i kundërviheshin normave që ia impononte protokolli e rangu, Benedikti XVI nënvizoi:
“Ashtu si sillej para Zotit, sillej edhe para nënshtetasve. Nuk kishte dy mënyra sjelljeje:
një në Kishë e një tjetër, mbi fronin e mbretëreshës. Ajo ishte e krishterë, si kur
gjunjëzohej përdhe, para të Kryqëzuarit, ashtu edhe kur lartohej mbi fron, përballë
oborrtarëve”: “Elizabeta e ndihmonte bashkëshortin t’i lartonte cilësitë
e veta njerëzore, në sfera të mbinatyrshme, e ai ia kthente duke e mbrojtur në veprimtarinë
e saj bujare për të varfërit e në praktikimin e fesë. Gjithnjë më i pushtuar nga admirimi
për fenë e jashtëzakonshme të shoqes së jetës, një ditë Ludoviku, duke vërejtur kujdesin
e mbretëreshës për të varfërit, i tha: “E dashur Elizabetë, është Krishti ai që lave,
që ushqeve, që deshe”. Dëshmi e qartë kjo, për të treguar sesi feja e dashuria për
Zotin e për të afërmin e forcojnë jetën familjare, duke e thelluar edhe më shumë bashkimin
martesor” (Audienca e përgjithshme, 20 tetor 2010). Mesjeta nuk
është vetëm epokë historike, që perëndoi. Mesjeta është edhe sot mes nesh, me dyndjen
e errësirës, që e trondit keqas shpirtin njerëzor. Të gjithë ne, nënvizon Papa në
një nga katekizmat e këtij cikli, jemi në rrezik të jetojmë sikur Zoti të mos ekzistonte,
e prej këndej, shpesh kemi si shokë udhe, pesimizmin e mosbesimin. Por shenjtorët
janë gjithnjë optimistë; e kanë shumë arsye për të qenë të tillë. Duke folur, dhjetorin
e kaluar, për mistiken britanike Gjuliana e Norviçit, Papa nënvizoi: “Optimizmi në
jetë lind nga siguria se Zoti na do”. Duke jetuar si vetmitare, e mbyllur në qeli,
mistikja fitoi një ndjeshmëri të hollë njerëzore e fetare. E kështu – vërejti Papa
– u ndodh edhe sot burrave e grave, që tërhiqen në vetmi, për të jetuar në shoqëri
me Hyjin. E pikërisht falë kësaj vetmie, fitojnë ndjenjën e thellë të mëshirës për
fajet e ligështitë e të tjerëve. Prej këndej buron optimizmi i mistikes së vjetër,
që mbetet përsosurisht moderne, pikërisht për sigurinë e saj, të cilën ua ofron edhe
besimtarëve të sotëm: “Premtimet e Zotit janë gjithnjë shumë më të mëdha
se shpresat tona. Në se i lëmë në dorë të Zotit, duke ia besuar mëshirës së tij të
pambaruar dëshirat më të pastra e më të thella të zemrës sonë, nuk do të mbetemi kurrë
të zhgënjyer. Gjithçka do të jetë e mirë! Do të jetë për të mirë! Do të përfundojë
mirë. E ky është edhe mesazhi kryesor, që na përcjell Gjuliana e Norviçit e që edhe
unë jua propozoj sot”(Audienca e përgjithshme , 1 dhjetor 2010).