Duke shfletuar kalendarin historik, më 12 korrik, përkujtojmë 88 vjetorin e vdekjes
së Atë Leonard de Martino, françeskan arbëresh. Më 12 korrik 1923 u nda nga jeta,
në Napoli, poeti e shkrimtari arbëresh Atë Leonardo de Martino. De Martino (1830-1923,
nga fshati Greçi i Kampanjës në krahinën e Avelinos, që i ri u nis si misionar në
Shkodër, ku luajti një rol të dorës së parë në veprimtarinë për hapjen e së parës
shkollë italiane në Shqipëri. Kreu shërbimin meshtarak kryesisht në Troshan, në dioqezën
e Zadrimës dhe në fshatrat e Lezhës. Për një farë kohe shërbeu si sekretar i Prenk
Pashës, princ i Mirditës dhe si kujdestar i të birit të Pashës, Prenk Bibë Dodës (1858-1920).
Por nxënësi i tij më i shquar qe katundari i vogël, Zekë Ndoci, të cilin duart e tij
të mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë, në Poetin i cili do ta ngrinte traditën
e poezisë së Shqipërisë veriore, në majat më të larta. E kjo mund të konsiderohet
edhe kryevepra e fratit de Martino. Atë Leonardi u largua nga Shqipëria në fund
të shekullit XIX. Në historitë e letërsisë shqipe thuhet se doli në pension, duke
harruar se ai ishte rregulltar katolik e meshtar e se rregulltarët nuk e dinë ç’është
pensioni, sepse i shërbejnë Zotit deri sa mbyllin sytë për dritën e kësaj bote. E
de Martino i mbylli sytë në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin e Sarnos në Itali,
më 12 korrik 1923. I la trashëgim kulturës shqiptare pasurinë që mblodhi gjatë
dyzet vjetëve të shërbimit në provincën françeskane: veprat, të përkthyera e origjinale,
shkruar në dialektin gegë. Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’, variant shqip
i ‘Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit milanez, Tomaso Grosi (Tommasso
Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d'Istrias më 1868; ‘Munnimi i Jezu Krishtit’
(1875), përkthim i veprës ‘Passione di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios (1698-1782)
e, sidomos, veprën origjinale lirike ‘L'Arpa di un italo-albanese, (Harpa e një arbëreshi),
Venedik 1888. Është një përmbledhje e vëllimshme 442 faqesh e poezisë më të pjekur
e më të përpunuar të De Martinos në italisht e në shqip, shkruar me finesë e pasuri
metrike të pazakontë për letrat shqipe të kohës. Njihet edhe për pjesën teatrore të
shkurtër ‘Nata e Këshnellavet’, Shkodër 1880, e para në llojin e vet në shqipe. Emri
i tij lidhet ngushtë edhe me shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’.
Pamfleti poetik, që qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv, kushtuar Zojës
së Bekuar, është një ndër krijimet e tij më të frymëzuara.