2011-07-11 13:24:15

Papa në Engjëllin e Tënzot: Zoti nuk na detyron t’i besojmë, por na bën për vete me dashurinë e Tij.


“Zoti nuk na detyron t’i besojmë, por na tërheq me vërtetësinë e me dashurinë e Tij, sepse dashuria e respekton gjithnjë lirinë”. Këtë pohoi Ati i Shenjtë dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, ku arriti të enjten e kaluar, për një periudhë pushimi. Me rastin e së “Dielës së Detit”, bëri një thirrje të fuqishme në favor të detarëve, pengje në duart e piratëve.

U prit me duartrokitje e brohoritje të stuhishme Papa, në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga Kastel Gandolfo. Benedikti XVI komentoi shembëlltyrën e mbjellësit, propozuar nga liturgjia e djeshme. Jezusi – shpjegoi Ati i Shenjtë – njëjtësohet me mbjellësin, i cili hedh farën e mirë të Fjalës së Zotit dhe vëren me vëmendje frytet që mbledh, sipast trollit, domethënë zemrës, e cila e pranon ose jo, farën e mirë, Fjalën e Zotit:
“Ka nga ata, që e dëgjojnë kalimthi Fjalën, por nuk e pranojnë; të tjerë, e pranojnë në çastin e dëgjimit, por pa forcë shpirtërore, e gjithçka humbet; të tjerë akoma, mposhten nga shqetësimet e joshjet e botës; por ka edhe nga ata, që e pranojnë, si toka e mirë, këtu fara jep frytet më të begata”.
Dishepujt e pyesin Jezusin pse flet me shembëlltyra, e ai përgjigjet se e bën këtë, për t’i dalluar nga turma:
Dishepujve, domethënë atyre që janë të vendosur ta ndjekin pas, Ai mund t’u flasë haptazi për Mbretërinë e Zotit, ndërsa të tjerëve duhet t’ia kumtojë me shembëlltyra, pikërisht për t’i nxitur të ndërrojnë rrugë, t’i hapin zemrat e ta pranojnë Fjalën e Tij; në të vërtetë, shembëlltyrat, për vetë natyrën e tyre, nuk kuptohen ashtu menjëherë; kërkojnë përpjekje, mençuri, por edhe liri”.
Shën Gjon Krizostomi shpjegon se Jezusi i tha këto fjalë me qëllim që t’i tërhiqte vëmendjen dëgjuesve e t’i nxiste, duke i siguruar se po t’i drejtoheshin për ndihmë, Ai do t’i shëronte
Në fund të fundit mund të themi se “Shembëlltyra” e vërtetë e Zotit, është vetë Jezusi, Vetja e Tij që, pas dukjes njerëzore, fsheh, e njëkohësisht zbulon, natyrën e vet hyjnore. Kështu Zoti nuk na shtrëngon të besojmë në të, por na tërheq me vërtetësinë e me mirësinë e Birit të vet të mishëruar: e kjo, sepse dashuria e respekton gjithnjë lirinë”.
Gjatë takimit me besimtarët, Papa kujtoi edhe festën e Shën Benediktit, Abat e Pajtor i Evropës, që Kisha katolike e kremtoi sot: “Në dritën e këtij Ungjilli e shikojmë Shenjtin si mësues i dëgjimit të Fjalës së Zotit, dëgjim i thellë e këmbëngulës. Duhet të mësojmë vazhdimisht nga Patriarku i madh i monakizmit perëndimor, për t’i dhënë Zotit vendin që i përket, vendin e parë, duke ia kushtuar Atij, me uratët e mëngjesit e të mbrëmjes, lutjet e veprat, vuajtjet e gëzimet e ditës. Virgjëra Mari na ndihmoftë të jemi, sipas modelit të saj, tokë e mirë, ku fara e Fjalës mbin, rritet e sjell shumë fryte”.







All the contents on this site are copyrighted ©.