Në festën e Shën Benediktit, Papa kujton: “Evropa mund të rindërtohet vetëm duke u
nisur nga rrënjët e veta të krishtera”.
Sot Kisha kremtoi festën e Shën Benediktit, Pajtor i Evropës. Papa e kujtoi dje, në
Engjëllin e Tënzot, duke i ftuar besimtarët të mësojnë nga murgu i madh, që e shpëtoi
Evropën në kohë tejet të vështira, me moton, që s’e humbet kurrë vlerën: “Lutu e puno!”.
Që
në audiencën e parë të përgjithshme, me të cilën fillonte shërbimin papnor, më 27
prill të viti 2005, Papa Racinger kujtoi thirrjen e Shën Benediktit, pajtor i papnisë
së Tij, për të mos vënë asgjë mbi Krishtin, duke shpjeguar se emrin, që mban tashti,
e zgjodhi i frymëzuar nga papnia e Benediktit XV, njeri i paqes, por edhe nga roli
që ka luajtur Shenjti Pajtor i Evropës. Gati njëmijë vjet më parë – shpjegoi
Papa - një tjetër Benedikt ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinetit të Vjetër: Benedikti
nga Norçia. Me urdhërin e tij murgar, Patriarku i monakizmit perëndimor, më pas bashkëpajtor
i Evropës, me Çirilin e Metodin, ushtroi një ndikim të pallogaritshëm në përhapjen
e krishterimit në të gjithë Kontinentin. Prandaj – vijoi Ati i Shenjtë - Shën Benedikti
është tepër i nderuar në Gjermani e posaçërisht në Bavari, në tokën ku kam lindur.
Ai përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht
se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit
të saj. Në Rregullën e tij të famshme, Shën Benedikti i këshillon murgjërit
sivëllezër “Të mos i kundërvënë asgjë Krishtit” një imperativ, ky, që edhe Benedikti
XVI pohoi se e ka bërë të vetin: “Në fillim të shërbimit tim si pasardhës
i Shën Pjetrit, i lutem Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qëndërsinë
e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë
tona”. Shenjtit të Norçies Papa i kushtoi, në mënyrë të veçantë, audiencën
e përgjithshme të 9 prillit 2008, duke nënvizuar vlerën e veprës së tij, kryer në
shekullin VI, në një periudhë, kur Evropa ishte e zhytur në krizë të thellë vlerash
e institucionesh, pas shembjes së Perandorisë romake, dyndjes së popujve të rinj e
zvetënimit të zakoneve: “Në të vërtetë, vepra e Shenjtit e, në mënyrë
të posaçme, Regulla e tij, mbartnin një tharm të mirëfilltë shpirtëror, që ia ndryshoi
krejtësisht faqen Evropës, shumë përtej kufijve të Atdheut e të kohës së tij, duke
ngjallur një bashkim të ri shpirtëror e kulturor, pas shembejes së unitetit politik,
krijuar nga Perandoria romake. Krijoi bashkimin e fesë së krishterë, që u pranua nga
popujt e Kontinentit. Pikërisht kështu lindi realiteti, që ne e quajmë Evropë”. Një
vepër vigane, lindur në heshtje. Pa i mbushur mirë të njëzetat, Benedikti i ndërpreu
studimet në Romë, i pakënaqur nga stili i jetës së shumë shokëve të tij, që jetonin
fare të çkujdesur. Iku, që të mos binte në të njëjtat gabime. Dëshironte t’i pëlqente
vetëm Zotit. Prandaj u tërhoq mbi malet e Subiakos, ku jetoi për tre vjet me radhë
fill i vetëm, në një shpellë. Periudhë vetmie të plotë, vetëm me Zotin, kohë, gjatë
së cilës fitoi pjekurinë për të kapërcyer tre tundimet kryesore, që e rrezikojnë çdo
njeri:” “Tundimin e vetëdashjes e të dëshirës për ta vënë veten në qendër
të botës; tundimin e mishit e të gjakut, e, së fundi, tundimin e inatit e të hakmarrjes.
Ishte i bindur se, vetëm si të kishte fituar mbi këto tre tundime, do të mund t’u
drejtonte të tjerëve një fjalë të dobishme për nevojat e tyre”. Vetëm pas
kësaj përvoje, nisi të ndërtonte manastiret e tija të para, në të cilat çdo veprimtari
bazohej mbi moton “Ora et labora” – “Lutu e puno”: prej këndej, lutja vihet në themel
të çdo veprimtarie tjetër njerëzore: “Pa lutje nuk mund të takohesh me Zotin.
Por përshpirtëria e Benediktit, nuk ishte jashtë realitetit. Në mes shqetësimeve e
pështjellimeve të kohës së tij, ai jetonte nën vështrimin e Zotit; e pikërisht kështu
nuk i harroi kurrë detyrat e jetës së përditshme e as njeriun me nevojat e tij konkrete.
Duke parë Zotin, kuptoi edhe nevojat e njeriut e misionin e tij. Në rregull, nënvizon
se lutja, në radhë të parë, është dëgjim i zërit të Zotit. E Zoti kërkon që ne t’i
përgjigjemi ditë për ditë, me vepra, mësimeve të tij të shenjta”. Jeta
e murgut bëhet, kështu, një bashkëjetesë plot fryte e veprimtarisë dhe e kundrimit,
me synim që në gjithçka të lumnohet Zoti.Vepra e Shën Benediktit farkëtoi qytetërimin
dhe kulturën e Evropës që - pohon Papa - pas utopive tragjike të shekullit XX, është
përsëri në kërkim të identitetit:“Për të krijuar një bashkim të ri e të qëndrueshëm,
kanë rëndësi, natyrisht, mjetet politike, ekonomike e juridike, por, mbi të gjitha,
ka rëndësi përtëritja etike e shpirtërore, që merr jetë nga rrënjët e krishtera të
Kontinentit, përndryshe nuk mund të rindërtohet Evropa. Pa këtë limfë jetike, njeriu
rrezikohet të bjerë pre e tundimit të lashtë, që e nxit ta shikojë veten si zot i
fateve të veta, utopi e cila, në mënyra të ndryshme, në Evropën e Nëntëqindës, siç
ka theksuar edhe Gjon Pali II, shkaktoi një regres të pashembullt në historinë, gjithnjë
të trazuar, të njerëzimit”.