Me 11 korrik Kisha përkujton shën Benediktin, Pajtor i Evropës.
Që për njerëzit e sotëm … të jetë i pacenueshëm e i shenjtë ideali i bashkimit shpirtëror
të Evropës e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli për ta realizuar në praktikë,
e shpallëm Shën Benediktin - Pajtor të Evropës". Me këto fjalë Papa Pali VI, më
24 tetor 1964, nga Montekasino, ku kishte shkuar për të shuguruar rishtas manastirin
e shkatërruar prej bombardimeve aleate të 1944-tës, pikërisht në vendin ku Shën Benedikti
kishte kaluar vitet e fundit të jetës, duke rrezatuar në të gjithë Kontinentin Evropian
mesazhin e tij të përshpirtërisë e të fesë, dha këtë njoftim për shpalljen e Abatit
shenjt të shekullit VI, themeluesit të monakizmit perëndimor, si Pajtor qiellor i
Evropës. Ndonëse dita e vdekjes së Shenjtit është 21 marsi, Festa e Pajtorit të
Evropës kremtohet sot, sepse marsi përkon me Kreshmët. Gjithsesi murgjërit Benediktinë
ia kremtojnë të dyja datat: atë të vdekjes dhe atë të shpalljes Pajtor i Evropës. Në
letrën apostolike "Pacis Nuntius" të datës 24 tetor 1964, Papa Pali VI shpjegonte
edhe arsyet e kësaj shpalljeje, kërkuar me ngulm nga hierarkia dhe nga mbarë populli
i Zotit, pasi edhe Piu XII e pati kujtuar Shën Benediktin si "Babai i Evropës" dhe
vetë Gjoni XXIII e pati dëshiruar me gjithë zemër këtë ditë. Ja ç'shkruhet në Letrën
e Papës Montini: "Ndërsa shembej Perandoria Otomane e disa zona të Evropës dukej
sikur zhyteshin në errësirë, ndërsa të tjerat jetonin pa qytetërim e pa vlera shpirtërore,
ai, me impenjimin e tij të palodhshëm, bëri që në këtë Kontinent të muzgët të lindë
agimi i një epoke të re. Ai e bijtë e tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët
që çuan progresin e krishterë ndërmjet popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi;
nga Irlanda e deri në rrafshinat e Polonisë. Me Kryq, domethënë me Ligjin e Krishtit,
siguruan qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e rendit të jetës publike e private… duke çimentuar
atë unitet shpirtëror evropian, me forcën e të cilit popuj që flisnin gjuhë të ndryshme,
ndjenë se po formonin një popull të vetëm. Popullin e Zotit. Me libër, pastaj,
domethënë me kulturë, vetë Shën Benedikti, nga i cili shumë manastire morën emër e
forcë, shpëtoi me guxim providencial, në çastin kur trashëgimia humanistike rrezikonte
të zhdukej, traditën klasike të botës së lashtë, duke i përcjellë të paprekur breznive
të ardhshme, kultin e diturisë. Me parmendë, së fundi, domethënë me kultivimin
e arave e nisma të tjera me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e bujqësisë, ia
doli mbanesh t'i shndërronte tokat djerr në fusha pjellore e kopshte të lulëzuara;
e duke bashkuar lutjen me punën materiale, sipas motos së tij të famshme "ora et labora"
- "lutu e puno!" fisnikëroi e lartoi djersën që rrjedh nga balli i ndershëm. Benedikti
ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinentit të Vjetër. Me urdhrin e tij murgar, “Patriarku
i monakizmit perëndimor”, më pas bashkëpajtorë i Evropës, me Çirilin e Metodin, ushtroi
një ndikim të pallogaritshëm në përhapjen e krishterimit në të gjithë Kontinentin.
Prandaj Shën Benedikti përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës,
duke na kujtuar fuqimisht se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës
së saj e të qytetërimit të saj. Ti lutemi Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë
të patundur qëndërsinë e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në
mendimet tona e në veprimtaritë tona” . Pra Shën Benedikti mbetet tepër aktual.
Si dikur me dritën e qytetërimit të krishterë ia mbërriti t'i davaritë retë e zeza
e të rrezatojë dhuratën e paqes, kështu edhe sot ai i prin jetës evropiane, duke ndërmjetësuar
që Evropa të zhvillohet, të rritet e të përfshijë ndër kufijtë e vet të gjithë popujt
që i përkasin e që dëshirojnë të jetojnë sipas motos "ora et labora" - me Kryq, me
pendë e parmendë!