2011-07-11 15:24:22

Familjarët e detarëve peng në duart e piratëve, takohen me Papën, që i siguron për lutjet dhe kujdesin.


(11.07.2011 RV) përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI u takua me një përfaqësi ndërkombëtare të familjeve të detarëve, marrë peng nga piratët. Ishte një takim i shkurtër, që zgjati vetëm dhjetë minuta, por tejet prekës. Gjatë tij, Papa u shprehu familjarëve afërsinë e vet. Don Xhakomo Martino, drejtor i Apostullimit të njerëzve të detit në Fondacionin Migrantes, pranë Konferencës ipeshkvnore italiane, i pranishëm në takim, theksoi - në mikrofonin tonë - se Papa i mbushi me shpresë familjarët, që u prekën thellë nga afërsia Atit të Shenjtë e nga premtimi i kujtimit në lutje, me bindjen se lutja arrin te froni i Hyjit, për t’i prekur, pastaj, edhe zemrat më të ngurta njerëzore.
Ishte një takim - shpjegoi meshtari – zemër për zemër me zemrën e Kishës, përmes Atit të Shenjtë. Një Kishe, që tregoi edhe një herë universalitetin e saj, afërsinë e saj ndaj problemeve e vuajtjeve të njerëzimit. Familjarët e pengjeve – përfundoi don Martino - e dinë se Benedikti XVI do t’i ketë shumë për zemër, ata e çështjen e bijve të tyre, që presin plot ankth rikthimin në vatrën familjare.

Kujtojmë se pirateria arriti kulmin e vet historik vitin e kaluar, me 445 sulme, 52 anije e 1. 181 detarë të marrë peng. Fenomeni vijon, me 214 episode të reja e 26 anije, akoma peng në duart e piratëve. Ndonëse shumica e anijeve janë sulmuar në brigjet e Somalisë, një komunikatë e Apostullimit Detar të Konferencës ipeshkvnore italiane kujton se pirateria mbetet sfidë botërore, që kërkon përgjigje globale, sepse mirazhi i fitimeve të lehta e të menjëhershme, po i josh gjithnjë më shumë edhe organizatat kriminale ndërkombëtare. Në përkim me komunikatën e Këshillit Papnor për Emigrantët dhe Endacakët, Apostullimi i Detit i Kii-së, u drejton këtë thirrje të fuqishme:
Qeverive dhe organizatave ndërkombëtare, që të aktivizojnë me shpejtësi kanalet e tyre, për t’i rikthyer shëndosh e mirë në shtëpi, detarët e marrë peng e të gjejnë edhe rrugëzgjidhjen për këtë problem, duke pasur mirë parasysh se duhet vepruar duke u nisur nga rrënjët e fenomenit, domethënë nga pabarazia e shpërndarjes së pasurive ndërmjet Vendeve dhe e shfrytëzimit të burimeve natyrore”.

Shoqërive të lundrimit, që të marrin masa parandaluese për të garantuar sigurinë jo vetëm të anijeve e të ngarkesës së tyre, por edhe të detarëve. Në rastin tragjik të sulmeve, t’i mbështesin familjet e pengjeve e t’i ndihmojnë drejtpërdrejt e menjëherë, në mënyrë që t’i kufizojnë pasojat traumatike”.

Të gjithë detarëve të marrë peng, që të mos e humbasin shpresën se së shpejti do të bashkohen përsëri me të dashurit e të mbeten të fortë në fe. Atyre Apostullimi i Detit u përcjell gjithë solidaritetin e mundshëm”.

“Famijarëve të detarëve të marrë peng, që të mos ngurrojnë t’i drejtohen Qendrave Ylli i Detit për ngushëllim e ndihmë. Në situata të tilla dramatike, Ylli i Detit më shumë se kurrë mund të jetë për ta liman i sigurtë e fanar shprese. Detarët duhet ta dijnë se kapelanët e vullnetarët e Apostullimit të Detit janë pranë tyre, për të përballuar së bashku muajt e pasigurisë se të frikës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.