2011-07-10 16:25:21

Shenjtorët e Javës


E diel 10 korrik, Kisha kremton të dielën e 15-të gjatë vitit kishtar, e po më 10 korrik, kalendari përkujton edhe shenjtoret Rufina e Sekonda, dhe Anatolia e Vitorja, martire. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është Bariu i Mirë, e kudo shkon, shëron sëmundjet e shpirtit e të trupit; turmat rendin pas Mësuesin Hyjnor nga të katër anët, ashtu si delet e lodhura e të këputura, në kërkim të një bariu që të kujdeset për to.
Të hënën më 11 korrik kalendari përkujton shën Benediktin Abat, pajtor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekim - e shën Piun I papë. Kisha na fton të reflektojmë mbi simbolikën e hardhisë e të shermendëve, që na kujton se pa Jezusin, nuk mund të arrijmë kurrfarë suksesi. E kjo, sepse shermendi nuk mund të japë fryte i shkëputur nga hardhia. Kështu edhe nxënësi, i shkëputur nga Krishti.
Të martën më 12 korrik, kalendari përkujton shën Gjon Gualbertin, abat, themlues i Valombrozanëve dhe shenjtorët Nabori e Feliçi, martirë milanezë. Liturgjia e ditës na kujton se bashkësia apostolike e kuptoi mirëfilli se Jezusi i ka besuar misionin vet për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit, që përkon me shëlbimin e njerëzimit.
Të mërkurën më 13 korrik bie përkujtimi i shën Enrikut II perandor; e shën Esdrës, skribë dhe e shën Silës, nxënës i Shën Palit. Këta na kujtojnë se misioni i nxënësit nuk është aspak i lehtë. Ai duhet ta konsiderojë veten pikërisht si delja në mes të ujqërve, sepse deri familjarët më të ngushtë mund të shndërrohen papritmas në armiq për vdekje. Do t’i duhet kështu të ndeshet vazhdimisht me urrejtjen, që s’dihet nga ç’anë vjen. Por nxënësi është i vetëdijshëm se forca e tij është Shpirti i Atit qiellor.
Të enjtjen më 14 korrik do të përkujtohet shën Kamili de Lelis, meshtar, themelues i Shërbëtorëve të të sëmurëve, që kremtohet në mbarë botën, e edhe në Shqipëri, nga Motrat mbarështuese të të sëmurëve, siç quhen sot rregulltaret kamiliane në shërbim të spitaleve. Na kujton se nxënësi duhet t’i ngjajë mësuesit, që diti të përballojë edhe vdekjen. Ajo që ka rëndësi është që Jezusi ta njohë si nxënës të vërtetë para Atit të Tij që është në qiell.
Të premten më 15 korrik, alendari përkujton sën Bonaventurën, françeskan, kardinal, ipeshkëv i Albanos e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.
Të shtunën që vjen më 16 korrik, do të kremtohet festa e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës në Shqipëri e njeh me emrin Zoja Karmë. Po të shtunën më 16 korrik do të përkujtohet edhe Shën Maria Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës. Liturgjia e festës na kujton se Jezusi është në qëndër të gjithçkaje dhe na kërkon ta vemë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë. Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe, sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje.
Të dielën e ardhshme më 17 korrik, Kisha do të kremton të dielën e 16-të gjatë vitit kishtar e po më 17 korrik kalendari përkujton edhe shën Marçelinën, virgjër, motër e shën Ambrozin, ipeshkëv; e shën Aleksin e shën Leonin IV, papë. Liturgjia na kujton se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar. Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë se pa Të nuk mund të kemi jetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.