2011-07-08 15:35:47

Shqipëri: Kolegji rrëzon padinë e PS, konfirmon fitoren e Bashës në Tiranë


Në Shqipëri Kolegji Zgjedhor vendosi sot paradite të rrëzojë kërkesë padinë e Partisë Socialiste ku kërkohej që të detyrohej KQZ, të shqyrtojë ankesën për pavlefshmëri të rezultatit të 284 qendrave të votimit në Tiranë. Relatorja e çështjes, Shasenka Jonuzi në shpalljen e këtij vendi argumentoi se kërkesë padia e PS e dorëzuar më 2 Korrik është dorëzuar jashtë afateve të caktuara.
“Kolegji Zgjedhor në bazë të nenit 135 vendosi rrëzimin e kërkesë padisë së Partisë Socialiste për shkak të tejkalimit të afateve të dorëzimit të kërkesë padisë”, tha shkurt Jonuzi duke u larguar së bashku me trupin gjykues nga salla. Me këtë vendim të Kolegjit, mbetet në fuqi fitorja në Tiranë e kandidatit të djathtë, Lulzim Basha me 93 vota para kundërshtarit, Edi Rama. Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor është përfundimtar në lidhje me zgjedhjet e 8 majit për Bashkinë e Tiranës.

Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar kërkesë padinë e Partisë Socialiste dhe për të lënë në fuqi vendimin e 25 qershorit të KQZ-së, e cila shpalli kandidatin Lulzim Basha fitues me 93 vota vjen një reagim edhe nga Brukseli.

Zëdhënësja e Kethrin Ashton, Maja Kocijancic në një deklaratë të shkurtër sqaron se Brukseli pret të shohë detaje të tjera të këtij vendimi, për të dhënë edhe opinionin e tij.
“Kemi ndjekur zhvillimet në Shqipëri që pas zgjedhjeve lokale të 8 Majit me shqetësim dhe vëmendje të madhe. Kemi mbajtur shënim vendimin e sotëm të Kolegjit Zgjedhor, që është edhe organi më i lartë ligjor, i cili shqyrton apelimet e zgjedhjeve. Është jetike që të gjithë palët të veprojnë në mënyrë të qetë pas këtij vendimi duke vendosur interesat kombëtare përpara çdo interesi vetjak. Po presim zbardhjen e arsyetimit të vendimit në kohën e duhur”. Kështu u shpreh sot zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijancis menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për Tiranën.

Sipas Kocijancic ky vendim me të vërtetë i jep fund tejzgjatjes së procesit, por BE dëshiron të shohë dialog të pjekur, progres në reforma.
“Kemi thënë që procesi të mbarojë sa më shpejt, kjo është një gjë e mirë, por duam të shohim detaje për të dhënë opinionin tonë. Duam të shohim dialog të matur dhe pastaj do japim mendimin e qartë”, nënvizoi Kocijancic.







All the contents on this site are copyrighted ©.