2011-07-08 15:39:30

Në Shqipëri kalon ligji për regjistrim të popullsisë


Parlamenti i Shqipërisë miratoi dje disa ndryshime në ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe të banesave, për të cilin ka pasur reagime të ndryshme pro dhe kundër, sidomos për pikat që lidhen me përkatësinë fetare dhe etnike.
Ndryshimet ligjore shkëputin çdo lidhje midis regjistrimit të popullsisë e banesave dhe të dhënave të regjistrit kombëtar të shtetasve. Regjistrimi i popullsisë dhe të banesave është një proces i zakonshëm i kërkuar nga Bashkimi Evropian si një bazë statistikore mbi shoqërinë shqiptare.
Regjistrimi i ri i popullsisë dhe banesave është një proces që pritet t'i përgjigjet standardeve më të mira evropiane dhe që do ta ndihmojë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE.
Për herë të parë ky regjistrim, do të japë një pasqyrë të plotë dhe të përgjithësuar të situatës demokratike dhe social-ekonomike të vendit. Pyetësori që do u jepet shtetasve shqiptarë do të përmbajë pyetje që prekin jo vetëm gjendjen ekonomike dhe social-kulturore, por edhe përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Ky moment shihet si një shprehje e emancipimit të vendit që aspiron standardet e Evropës. Pra, Shqipëria po përgatitet të kryej regjistrimin zyrtar të popullsisë me anë të vetëdeklarimit , një proces që për herë të parë pritet të përfshijë dhe përkatësinë etnike dhe atë fetare.
Regjistrimi që do të përfshijë dhe banesat synon të japë jep një panoramë të plotë të zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend dhe do të shërbejë për një bazë të mirë për të ndërtuar politika të drejta, në mënyrë që paratë publike të shpenzohen me efektivitet.







All the contents on this site are copyrighted ©.