2011-07-08 11:24:26

Më 8 korrik kujtojmë vdekjen e imzot Lazër Mjedjes


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 8 korrik shënojmë përvjetorin e vdekjes së kryeipeshkvit shqiptar të Shkodrës imzot Lazër Mjedjes.
Lazër Mjeda, lindi në Shkodër në një familje shumë të varfër, me 6 mars të vitit 1869, ndërsa vdiq më 8 korrik të vitit 1935.
Imzot Lazër Mjedja kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, ka qenë ipeshkëv edhe në dioqezën e Sapës, kryeipeshkëv i dioqezës së Shkupit. Luftëtar i pathyeshëm për të drejtat e fesë, atdhetar i flakët e veprues i panjollë, punëtor i vlefshëm i gjuhës e këshilltar dhe mbrojtës i shndritur, ndihmëtar zemërgjerë i letërsisë kombëtare, themelues e kryetar i shoqnisë letrare “Agimi” dhe i shoqnìs botuese Jeronyme.
Me 6 gusht të vitit 1891 u shugurua meshtar në kapelën e Seminarit Papnor të Shkodrës; shërbeu si famullitar në Plan, Pog e Mëgullë në Pult. Bortoi vjersha që këndohen ende sot nga fshtararët vendas. Me 20 janar të vitit 1901 u shugurua ipeshkëv i Sapës dhe qe ndër ma të rinjtë nga mosha.
Si ipeshkëv ndërtoi shumë struktura kishtare si dhe krijoi e ndërtoi shkolla, si: në Dajç, ku mësoi për do kohë vëllai i tij Dom Ndre Mjeda, i cili administronte atë famulli kishtare; pastaj shkollën e Hajmelit të Iballës. Së bashku me të vëllain dom Ndreun krijoi Shoqninë Letrare "Agimi" e cila botoi tekstet shkollore të asaj kohe. Më 1905 qe emëruar si ndihmës i ipeshkvit Imzot Guerinit dhe si i tillë rrethoi me mure e parmakë hekurit oborrin e Katedrales dhe ndërtoi rreshtin e dyqaneve në pjesën jugperëndimore të oborrit, si dhe plotësoi kullën e kishës.
Gjatë kësaj periudhe shoqnitë letrare janë në lulëzim të plotë. Më 1909 qe emërua Arqipeshkëv i Shkupit ku hapi shumë shkolla nëpër fshatra dhe punoi për lulëzimin e fesë e të kulturës në atë krahinë; ngriti struktura kishtare e i pasuroi, si dhe zbukuroi Kishën Katedrale të Prizrenit të Zojës Ndihmëtare. Në Shkup ndërtoi selinë arqipeshkvnore dhe shtëpinë e Kishës famullitare.
Më 1922 erdhi Arqipeshkëv i Shkodrës ku u vu menjëherë në punë për të përmirësuar dhe pasuruar Kishën e shtëpitë famullitare dhe nisi ndërtimin e kishës së Rusit. Stolisi kapelën e Arqipeshkvisë, në formë artistike, nën drejtimin e artistit Kolë Idromeno, i cili me duart e veta goditi Elterin.
Themeloi Fletoren e Klerit Katolik dhe Fletoren e së dielës, botoi librin "Rruga e Shelbimit" dhe me 19 mars1923 bekoi kambanat e reja të Kishës Katedrale. Me 4 gusht 1929 shuguroi ipeshkëv Imzot Pjetër Gjurën Arqipeshkëv të Durrësit dhe Imzot Frano Gjinin ipeshkëv Abat të Mirditës në shtator të vitit 1930.
Të dielën më 7 korrik kur nëpër Kishat e maleve e të katundeve të Shqipërisë jehonte kënga monotone për nga melodia, por plot dalldi e burrëri për nga shprehja e fjalëve: “Un prej Zotit jam i kështenë”, hartuesi i saj, imzot Lazer Mjedja, metropolit i Shkodrës, kryeipeshkëv i drejtë dhe i parimeve të ngurta, njeri i çmuar dhe i dashur - i kundërshtuar dhe i respektuar, fillonte fazën e mbrame të jetës tokësore, hynte në agoni e të nesërmen më 8 korrik të vitit 1935 në ora 17.20 të, shpirti i tij i bardhë shkëputej ëmbël e fluturonte ndër krahë të Krijuesit të vet. e funerali i imzot Lazër Mjedjes qe ndër ma madhështorët që iu banë arqipeshkvijve katolikë në Shkodër e Shqipëri. Me 1926 pati kremtuar 25- vjetorin e ipeshkvisë.
Don Lazër Shantoja shkruante në revistën ‘Leka’ të vitit 1935 se nga imzot Mdjedja “Ka metë vetëm shembulli i madh qi na ka dhanë e shembujt e mëdhaj nuk janë dhanë kurr kot!
Nji bari shenjt ka dekë. T’a nderojmë.
Nji atdhetàr i pastër ka dekë. T’a ndjekim.
Nji burrë ka dekë. T’a qajmë.
Emzot, pse na lae?”.







All the contents on this site are copyrighted ©.