2011-07-08 17:39:17

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit ‘A'


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 15-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Liturgjia hyjnore e kësaj së diele të 15-të, dëgjues të nderuar, na fton të kemi besim në Fjalën e Zotit, që sjell gjithmonë frytet e vet, si shiu që nuk kthehet në qiell pa pas lagur më parë tokën.
Zoti mbjell. Në mbarim edhe zemrat më të forta e më të ngurrta do të hapen para dashurisë së Tij. Fara është Fjala e Zotit; ai njeri që e dëgjon dhe e kupton, jep fryte. Prandaj Fjala e Zotit e mbjell në zemrën tonë do të jap fryte në atë masë që çdo njëri prej nesh bëhet terren u pëlleshëm për ta pranuar e për ta bërë të frytshme.
Me liturgjinë e kësaj së diele fillon leximi i shëmbëlltyrave të Jezusit, me të cilat Jezu Krishti, përmes Mateut ungjilltar që na i sjell ato, paraqet cakun e Mbretërisë Qiellore e këndej cakun e asaj që ne, nxënësit e tij, besojmë dhe kumtojmë. Mesazhi i leximeve biblike të kësaj së diele është një thirrje të kemi besim në forcën e Fjalës së Zotit, të mbjell me begati në brazdat e historisë, përkundra të gjitha kundërshtimeve, refuzimeve, gjithmonë jep frytet e veta, që janë drejtësia, paqja e shpresa e Mbretërisë së Zotit.
Me kreun e 12-të të Ungjillit të Mateut ka filluar një sesion i ri i Ungjillit të tij: atë të Mbretërisë së Zotit, ku përshkruhen tiparet e të besuarit në Zotin dhe si duhet vepruar e reaguar njeriu për të marrë pjesë në këtë Mbretëri.
Kreu i 13-të i Ungjillit të Mateut, që do ta lexojmë këto dy të diele të ardhshme, është tërësisht i përbërë prej shëmbëlltyrave që ilustrojnë aspekte që Shën Mateu i quan mistere apo sekrete të Mbretërisë Hyjnore. Ato janë shtatë dhe zhvillojnë temën: Mbretëria e Zotit është porsi fara.
Ku bie fara e Zotit? Po zemra jonë me të cilën tokë mund të krahasohet? Ti lutemi Hyjit që jeta jonë të jetë tokë e mirë dhe frytshme.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë (Is 55, 10-11)

Profeti Isaia na përgatit të pranojmë fjalën e Hyjit dhe na flet për efektshmërinë e saj nëpërmjet imazhit të shiut dhe të borës. Fjala, ashtu si shiu, ka një fuqi të mrekullueshme jete. Duke pranuar Fjalën ne hapemi drejt së ardhmes dhe ndriçojmë raportet tona me të tjerët në një dritë të re.
Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “Sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i japë bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e drejtova.”
Fjala e Zotit

Psalmi 65 (64)

Ref:
Vizitoje tokën tënde, o Zot,
dhe bekoji të mbjellat në të.
_____________________________

Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit,
e ngarkon me prodhime të begatshme.
Lumi i Hyjit është plot me ujë:
ti bën të rriten drithëra për njerëz!
_____________________________

Tokën ti kështu e përgatit:
hullitë ia lag, bucat ia imtëson,
me shi e zbrun, të mbjellat ia bekon.
_____________________________

E kurorëzon vitin me mirësinë tënde,
gjurmëve të tua rrjedh begatia,
kullotat e shkretëtirës rijnë njomësi,
mballesat bregoreve ngjeshën me hare,
_____________________________

Livadhet janë të veshura me dele,
luginat mbulohen me drithëra:
gjithkah këngë e brohoritje me hare!
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 8, 18-23)

Edhe përballë vuajtjeve dhe paqartësive të kohës së tashme i krishteri nuk mbetet pa shpresë: zbulon në çdo vuajtje, jo dhimbjen e agonisë, por atë të lindjes dhe të ringjalljes. Ne nuk e dimë ku shkon bota, por në besim jemi të qartë që nuk mund të largohet nga duart e Zotit. Dashuria e Hyjit është fjala e fundit mbi këtë botë..

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne. E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit: krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë - jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi - porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit. Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. Dhe jo vetëm ajo! por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin - shpërblimin e trupit tonë.
Fjala e Zotit

ALELUJA,
Aleluja.
Fara është fjala e Zotit,
mbjellësi është Krishti:
kushdo e gjenë atë e ka jetën e pasosur.
Aleluja.

Ungjilli (Mt 13, 1-23)
Jezusi thotë se fjala e mbretërisë, Ungjilli, është një farë e përhapur kudo, por e pranuar në mënyrë të ndryshme sipas atij që e dëgjon. Një gjë është e qartë: fryti që do të mblidhet do të vijë nga forca e farës, e cila, ka aftësinë të shumohet. Si rritet Fjala e Hyjit në terrenin e zemrës? Ka vetëm një përgjigjje: Jezusi vetë që është mbjellësi dhe fara.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hipi në barkë e u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg.
U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra.
Kështu u tha: “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish.
Kush ka veshë, le të dëgjojë!”
Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Pse po u flet me shëmbëlltyra?”
Ai u përgjigj: “Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë:
“Mirë do të dëgjoni - por s’do të kuptoni, mirë do të shikoni - por nuk do të shihni. Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja, u bë i rëndë ndër veshë, sytë i janë mbyllur, që të mos shohë me sy, të mos dëgjojë me veshë, që të mos kuptojë shpirti i tyre e të mos kthehen. E unë i kisha shëruar!”
Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! Përnjëmend po ju them; shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.”
“Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’. E i mbjelli ‘në zallinë’, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete - pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. E i mbjelli ‘në ferra’, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt. E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”
Fjala e Zotit

Këtu mund ta dëgjoni programin kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 15-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.