2011-07-08 17:00:47

Katekizmat papnore të së mërkurës: afresk i madh i Kishës dhe i protagonistëve të saj.


Të nisesh nga fillimi është gjithnjë gjë e mirë, në se duam që të tjerët ta kuptojnë historinë e treguar deri në fund. E aq më tepër, kur këtë histori ia tregon njerëzimit të mijëvjeçarit të tretë të krishterë, me kujtesë të zbehur, formim të përciptë, e shpesh herë edhe indiferent ndaj mësimeve të Ungjillit. Këtë mendim, që e shtyu të themelonte një dikaster të posaçëm për ungjillëzimin e ri, të breznive të reja, Benedikti XVI duhet ta ketë pasur, që kur u ul në fronin e Shën Pjetrit, me bindjen se Papës i duhej të shpërvilte mëngët e t’i mbushte, pak nga pak, me ajër të pastër, mushkëritë e helmatisura nga shekullarizmi, të njerëzimit, duke u rikthyer ajrin e shëndetshëm të një urtie dymijëvjeçare, që zbriti në tokë, frymën e qiellit. Kështu, në mars 2006, Benedikti XVI nisi tregimin nga Kisha në fasha, nga takimi i parë i Jezusit me peshkatarët e Galilesë. Atje, pohoi, është DNA-ja e të gjitha ngjarjeve, që do të ndodhnin më vonë. Dëshmitarët janë të thirrur për të dëshmuar në botë të vërtetën e Ungjillit, por, mbi të gjitha, janë gjymtyrë të një korpi të vetëm:
Misioni i tyre nuk është i izoluar, por përmblidhet brenda misterit të bashkimit, që përfshin mbarë popullin e Zotit dhe realizohet me etapa, nga Besëlidhja e Vjetër, në të Renë. Prandaj, që nga çasti i parë i misionit të tij shëlbues, Jezusi i Nazaretit dëshiron ta bashkojë popullin e Zotit” (Audienca e përgjithshme, 15 mars 2006).
E kjo është skena e parë e afreskut, kushtuar historisë së Kishës, të cilën Papa e vijon duke mbajtur në dorë pishtarin e kësaj thirrjeje, e jo në atë errësirë të verbër, që përpiqet ta shkëpusë Krijuesin nga krijesa e tij. Prandaj, në këtë audiencë të përgjithshme, Papa - që nuk i fsheh asnjëherë edhe mëkatet e Kishës – flet qartë për një farë forme të hipokrizisë, që shfaqet si sëmundje e vërtetë e shpirtit, e cila u ngjitet shpesh edhe shumë besimtarëve:
“Është krejtësisht i papajtueshëm me qëllimet e Krishtit, një parullë, që ishte në modë pak vite më parë: “Krishti, po!”; “Kisha jo!”, që do të thotë: “ Nuk jemi me Kishën, por jemi gjithnjë me Krishtin”. Ky Krisht, i zgjedhur sipas qejfit, është thjesht prodhim fantazie. Nuk mund të kemi Krisht, pa realitetin, që krijoi, në të cilin e marrim në zemër, përmes Kungimit shenjt. E pikërisht kjo prani në bashkësinë, ku Zoti vijon të na dhurohet, është burimi i vërtetë i gëzimit tonë”(Audienca e përgjithshme, 15 mars 2006).
Si pikturon skenat e para të afreskut vigan, Benedikti XVI nis të skicojë aventurën e Apostujve, njerëzit e parë që e njohën Krishtin, që hynë në zemrën e tij, për ta marrë, pastaj, gjithnjë, të parët, në zemër:
“Për dishepujt nis njohja e drejtpërdrejtë me Mjeshtrin. Ata, në të vërtetë, nuk duhet të jenë kumtues të një ideje, por dëshmitarë të një Vetjeje. Para se të dërgohen për të ungjillëzuar, duhet të rrinë me Jezusin, duke krijuar me Të një lidhje vetjake” (Audienca e përgjithme, 22 mars 2006).
Kalojnë javë e muaj e figurat e veçanta të të Dymbëdhjetëve, të pikturuara me gjallëri të madhe vijash e ngjyrash nga Benedikti XVI, dalin nga kamaret e katekizmave të vjetra e rifillojnë t’i flasin Kishës së shekullit të 21-të. Kush ka sy, mund ta shikojë afreskun vigan të Papës, që na kujton parinë e Pjetrit, vazhdimësinë apostolike, transmetimin e fesë, unitetin dhe dallimet ndërmjet klerit e laikëve, rëndësinë e traditës, e cila i krijon Kishës së lashtë kushtet për të dalë nga kohët gjysëm të shlyera prej kujtesës së njerëzimit, e për t’u bërë një me Kishën e kohëve më moderne:
Tradita nuk është transmetim sendesh, as fjalësh; nuk është as koleksion objektesh të pluhurosura: tradita është lum i gjallë. Ajo na lidh me zanafillën tonë. Është lumi i madh, që na çon në portin e amshimit. Kështu, duke u rrëmbyer nga ky lum, dëgjojmë përsëri e përsëri fjalën, që e dëgjuam në fillesë, fjalën e Zotit: “Unë jam me ju për të gjitha ditët e jetës, deri në fund të fundit të botës”(Audienca e përgjithshme, 26 prill 2006).
Klementi Aleksandrin, Origjeni, Gjon Gojarti, Shën Jeronimi – por edhe figura më pak të njohura, si Shën Efremi ose Shën Kromaci, duken një pas një në afreskun vigan të audiencave të Papës Racinger. Si një mjeshtër i duruar, Benedikti XVI e ndez përsëri fanarin mbi këto figura, për t’i ndriçuar me dritë të re. Ngjall, në këtë mënyrë, atë interes, që ka dashamiri i kryeveprave, kur hyn në një galeri të gjatë e admiron mrekullitë e krijuara jo nga ndonjë piktor i famshëm, por nga vetë Krijuesi i bukurisë. Arrin, kështu, të njohë etërit e mëdhenj të Kishës, deri tek Shën Agostini, protagonisti i një cikli, brenda ciklit, me pesë katekizma, ndërmjet janarit e shkurtit 2008. Por 2008-ta është edhe viti kushtuar Shën Palit. Në 20 katekizma, Benedikti XVI flet me thellësi magjistrale për Apostullin e Popujve, përvoja e jashtëzakonshme e të cilit u përket të gjithëve.
Duke parë tani veten tonë, nuk mund të mos pyesim ç’do të thotë gjithë kjo për ne? Do të thotë se edhe për ne, krishterimi nuk është filozofi e re, e as moral i ri. Jemi të krishterë, vetëm në se takojmë Krishtin.Natyrisht Ai nuk na duket në atë mënyrë të pakundërshtueshme, të ndritshme, siç bëri me Palin, për ta kthyer në Apostull të të gjithë popujve. Por edhe ne mund ta takojmë Krishtin në leximin e Shkrimit Shenjt, në lutje, në jetën liturgjike të Kishës. Mund ta prekim zemrën e Krishtit e të ndjejmë se edhe Ai e prek zemrën tonë. Vetëm në këtë marrëdhënie personale me Krishtin, vetëm në këtë takim me të Ngjallurin, bëhemi vërtet të krishterë. E kështu hapet arsyeja jonë, na hapet parasysh gjithë urtia e Krishtit e gjithë pasuria e së vërtetës. Prandaj, duke admiruar afreskun e Benediktit XVI, ndjejmë nevojën t’i lutemi Zotit të na ndriçojë, t’i dhurojë botës sonë takimin me praninë e Tij: e kështu, të na japë një fe të gjallë, një zemër të hapur, një dashuri të madhe për të gjithë, të aftë për t’ia ndryshuar faqen botës.
Papa na krijon, kështu, për apostullimin një koncept më të gjërë, se ai që lidhej me grupin e të Dymbëdhjetëve. Duke ndjekur Palin, Papa i dallon qartë të ‘Dymbëdhjetët’ nga ‘të gjithë apostujt’, të cilët i përmend si dy grupe të ndryshme, që patën fatin të jenë dëshmitarë të dukjeve të të Ngjallurit. Na kujton, më pas, se Apostulli i Popujve e quan përvujtërisht vetveten dështak. Metaforën dështak, përmes së cilës shprehet kulmi i përvujtërisë, Papa e rikujton edhe kur flet për Shën Injacin e Antiokisë, që pohon: “Jam më i fundmi i të gjithëve, jam dështak; por do të më jepet hiri të jem diçka, në se arrij tek Zoti”. Këtë, që thotë Ipeshkvi i Antiokisë lidhur me martirizimin e tij të afërt, duke parashikuar se ai do ta përmbysë gjendjen e tij si njeri i padenjë, Shën Pali e thotë lidhur me detyrën e tij apostolike: në të gjen shprehjen fekonditeti i hirit të Hyjit, që di ta shndërrojë një njeri të papërkryer, në një apostull të shkëlqyer. Nga persektues, në themelues Kishash: këtë bëri Hyji me një, që në pikëpamje ungjillore, mund të shikohej si fundërrinë!
Besimi të hap udhën për të hyrë në portat e së vërtetës… por edhe për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur kështu Zotin e për të besuar.
Harmonia ndërmjet fesë e arsyes – vijon Papa - na bind sidomos se Hyji nuk është larg, përkundrazi, është fare pranë çdo njeriu; është sa pranë zemrës, aq edhe pranë arsyes së tij.
Në afreskun e pikturuar nga Ati i Shenjtë, pas figurave të Apostujve, shtohen edhe ato të etërve të Kishës. Edhe në këtë rast Ati i Shenjtë, përpiqet t’i gjallërojë ato ngjyra, që ishin shumë të ndezura në rrjedhë të disa shekujve por që më pas u zbehën, duke u shndërruar në fytyra, që megjithatë, vijojnë të na shikojnë, me të njëjtën shprehje, nga faqet e mureve të historisë së Besës së Re, që lidhi Zoti me njeriun. Për të rizbuluar forcën dhe bukurinë e krishterimit, ndonjë vit më parë Papa foli me gojën e Shën Agostinit, që na kujton se Zoti vijon të jetë pranë njeriut, pavarësisht nga kohët; vijon të jetë sa pranë zemrës së tij, aq edhe pranë arsyes. Prania e Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht misterioze, mund të njihet e të zbulohet vetëm në thellësinë e shpirtit:
“Mos dil jashta vetvetes – pohon Papa me shën Agostinin– por ktheju tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes banon e vërteta; e në se mendon se natyra jote është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten… syno të arrish atje ku ndizet drita e arsyes. Pikërisht ashtu si thekson vetë Shenjti… në krye të ‘Confessiones’ (Rrëfimet), autobiografia e tij shpirtërore: ‘Na bëre për vete e zemra jonë mund të gjejë paqe vetëm kur të pushojë në Ty’. Atëherë mund të themi se largimi nga Hyji është largim nga vetvetja”.
Më pas Papa shton në afresk figurën e njeriut, sipas reflektimeve të mëdha të Shën Agostinit mbi jetën, duke nënvizuar posaçërisht shkrimet e Ipeshkvit të Iponës për njeriun:
“Njeriu është një enigmë e madhe, është një greminë e thellë, enigmë e greminë që vetëm Krishti mund ta ndriçojë e ta shpëtojë. Ka rëndësi ta dijë se kur është larg Hyjit, është edhe larg vetvetes, është kundër vetvetes e mund ta gjejë përsëri vetveten vetëm duke u takuar me Hyjin. Kështu arrin edhe tek vetvetja, tek uni i tij i vërtetë, tek identiteti i tij”.
E kështu mund të admirojmë edhe afreskun vigan, që Benedikti XVI e pikturoi me ngjyrat e mrekullueshme të Shkrimit Shenjt, që nga zanafilla, deri në atë, që do të jetë dita e madhe e takimit të secilit njeri sy për sy me Zotin. Atëherë fatlumët, që arrijnë para Tij me petkat bardh si bora, do të kenë rastin ta shikojnë drejtpëdrejt figurën më të ndritur të afreskut hyjnor: Zotin vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.