Më 7 korrik kalendari kishtar përkujton shën Astin, ipeshkëv i Durrësit e martir
Më 7 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Astin apo Ashtin, ipeshkëv i Durrësit
e Martir. Për shën Astin, gojëdhëna na sjell shumë pak lajme e shumë pak është gërmuar
te arkeologjia apo ndër kujtesa e ndër libra e dokumente historike për ta krijuar
edhe një herë jetën e këtij bariu martir që është ipeshkvi i jashtëzakonshëm me prejardhje
ilire shën Asti i Durrësit. Dimë me siguri se shën Asti ishte ndër ipeshkvijtë e parë
të Durrësit gjatë sundimit të Trajanit (98-117), në sa Iliriku qeverisej nga Agrikolao.
Pikërisht në këtë kohë u martirizua shën Asti, sepse nuk pranoi të mohonte fenë në
Jezu Krishtin e të nderonte shtatoren e Dionizit. Sipas atye pak të dhënave të kemi,
duhet të ketë qenë viti 100, kur ipeshkvi trim durrsak derdhi gjakun për Krishtin,
duke dhënë dëshminë më lartë. Një ditë të nxehtë të korrikut shën Astin e zhveshën
lakuriq duke i lyer trupin me mjaltë dhe e varën në një pemë, ku dha shpirt pas torturave
të mëdha e çnjerëzore që pësoi për fenë e tij e për dëshminë dhënë për Krishtin e
Ungjillin e Tij. Pastaj trupin e tij e morën të krishterët dhe e varrosën. Më vonë
mbi varrin e shën Astit u ngrit një Kishë e madhe katedrale dhe më vonë shën Asti
u shpall mbrojtës e pajtor qiellor i qytetit të Durrësit. Emri i shën Astit, gjendet
edhe në përshkrimin e martirizimit të Pelegrinit, Luçianit, Ezikut, Papios, Saturninit
e Gjermanit të cilën, sapo ishin strehuar në Durrës, panë trupin e Astit ipeshkëv,
akoma të mbërthyer e të gozhduar në kryq e, të ngushëlluar nga flijimi i tij dhe dëshmia
që ai dha për Krishtin, shpallen se ishin të krishterë dhe për këtë shkak edhe ata
pësuan menjëherë të njëjtin fat...u martirizuan. Ndërsa në Sinasarin e Kostandinopojës,
festa e shën Astiti kremtohet më 7 korrik, së bashku me shën Pelegrinin e shokët martirë
të Durrësit. Emri i shën Astit ishte i nderuar në Shqipëri, siç vërteton mes tjerash
edhe Kisha e françeskanëve në Rubik e cila, në se i besojmë dëshmive gojore të përcjella
brez pas brezi në popull, duhet të ketë qenë fillimisht e Etërve Benediktinë, për
t’u kaluar më pas françeskanëve – siç dëshmon Farlati tek vepra monumentale “Illyricum
Sacrum”. Kisha e vogël e Rubikut ishte e pikturuar me afreske, poshtë të cilave shkruheshin
citate nga Shkrimi Shenjt – Bibla si edhe emrat e shenjtërve të pikturuar. Ndërmjet
tyre ishte edhe emri i shën Astit, ipeshkvit e martirit të Durrësit.