Ipeshkvi i Kosovë flet mbi situatën ndërfetare në vend
Fjalimi i ipeshkvit të Kosovës imzot Dodë Gjergjit gjatë takimit me përfaqësues të
‘Forumit Atlantik’, në selinë Ipeshkvnore në Prishtinë, në kuadrin e Konferencës që
u mbajt në Prishtinë mbi temën “Liderët e rinj të Evropës” nga data 26 deri më 29
qershorin e kaluar. Në mikrofonin e Radio Vatikanit imzot Dodë Gjergji flet mbi
situatën ndërfetare marrëdhëniet mes bashkësive të Kosovës, ta dëgjojmë........... Më poshtë ju
propozojmë fjalimin e plotë të ipeshkvit të Prishtinës mbajtur para pjesëmarrësve
të konferencës organizuar nga ‘Forumit Atlantik’. Fort të dashur Zonja dhe Zotërinj,
vëllezër e motra të nderuar miq, Kam nderin të Ju përshëndes përzemërsisht,
secilin veç e veç, dhe t’ ju urojë mirëseardhje, në Shtetin e ri të Kosovës. Në mënyrë
të veçantë shprehë konsideratat e mia për vizitën tuaj Kishës Katolike dhe mua Bariut
të saj. Ipeshkvia e jonë shtrihet në tërë territorin e Kosovës e shpërndarë në
4 dekanate dhe 24 famulli ku bashkohen 65 000 besimtarë Katolik. Qendra jonë Historike
është në Prizren. Kjo qendër, ku jemi sot, është pjesë e përpjekjeve tona për të krijuar
Selinë e re në Kryeqytet. Katedralja Nënë Tereza të cilën po e ndërtojmë është meritë
e Presidentit historik të Kosovës + Ibrahim Rugova dhe paraardhësit tim + Mark Sopi
të cilët pas bekimit të gur-themelit të kësaj Kishe, kaluan në amshim në një periudhë
të shkurtë kohore. Po edhe në realizimin e saj nuk ka munguar mbështetja e pushtetit
lokal e as e institucioneve qendrore. Ky projekt është financuar me kontributin vullnetar
të besimtarëve tanë dhe me mbështetjen e organizatave Katolike Cherch in Nid dhe Renovabis.
Kisha katolike në Kosovë, është e pranishme që në zanafillën Krishterimit dhe
si e tillë ka kontribuar në rrafshe të ndryshme përgjatë kësaj historie të lashtë
dhe të lavdishme: 1. Pikësëpari ka kontribuar në krishterimin e perandorisë
Romake, nëpërmjet pjesëmarrjes në Martirizim. E për këtë kemi shembull, Shën Florin
dhe Shën Laurin nga Ulpianë e vjetër e cila gjendet pak kilometra larg nga këtu. Në
atë kohë kur me Ediktin e Milanos (313) iu dha liria Kisha fillojë një hovë dhe jetë
të re, edhe tek ne, në “Iliricum sacrum”, si në pjesë të tjera të Perandorisë Romake. 2.
Pas Edikti të Milanos krishterimi Kisha në Dardani kishte arrit të jetë mirë e
organizuar duke qenë e pranishme në Metropolet më të rëndësishme të kohës. Ky fakt
lenë të nënkuptojë se ne, të Krishterët e atëhershëm, kemi kontribuar dukshëm në Ungjillëzimin
e popujve Sllavë, ata pra krishterimin e gjetën ndër ne dhe e përqafuan prej nesh. 3.
Ndërsa gjatë persekutimit 500 vjeçare nën Perandorin Osmane, kisha katolike ka
qenë “qiri i pa fikur” që ka ndriçuar mendjet dhe zemrat e njerëzve për të ruajtur
vlerat e përbashkëta, si: gjuhën, kulturën, traditën e sidomos dashurinë për vendin.
Njëkohësisht, kisha katolike ka qenë nyja e vetme, e cila ka lidhë qytetërimin perëndimor
me shqiptarët dhe shqiptarët i ka mbajte besnikërisht të pashkëputur nga ky qytetërim. 4.
Nuk ka munguar as kontributi i kishës katolike në historinë e re të jetës në Kosovë.
Këtu duhet të veçojmë dy momente më të rëndësishme: Në kohën e diktaturës së regjimit
shtetërorë, kisha katolike guximshëm është rreshtuar në anën e popullatës të shtypur
dhe ka ditë të bashkëvuajë duke u bë dritë shprese duke promovuar paqen dhe dashurinë.
Ne e dimë që rrënuesit e të sotmes, me pretekstin e mbrojtjes së të kaluarës,
kanë vështirësi të ndërtojnë të “ardhme të përbashkët”. Por, megjithatë, me qytetërimin
e dashurisë, jemi të bindur se mund të arrihet kjo. Dashuria e shpalosur në kryq nga
Zoti jonë Jezu Krishti, “Fali o Atë...” është shembulli më i mirë që aftëson zemrat
për të falë dhe angazhon njerëzit për t’u bashkuar në ndërtimin e një të ardhme të
re në paqe. Gjatë dekadës së fundit, që kur të gjithë përpiqen që nëpërmjet sigurimit
të paqes të krijojnë kushte për pajtim, kisha katolike, mbetet kontribuuese e veçantë
në ndërtimin e urave të reja të përafrimit dhe pajtimit mes feve dhe popujve, në
Kosovë. Në ndërtimin e kushteve për paqe dhe pajtim, mes njerëzve në Kosovë, kanë
kontribuar faktorë vendas dhe të huaj. Këndej urojmë që, kjo përpjekje të vazhdojë.
Edhe konferencën tuaj në Prishtinë e kuptojmë si kontribut për të arrit këto qëllime.
Jam thellësisht i bindur që Kosova ka filluar të bëhet dhe to të jetë një vend, ku
të gjithë qytetarët e saj do të jetojnë pranë njëri-tjetrit duke u bërë kontribut
e jo rrezik. Kjo konferencë, e organizuar në Prishtinë, rrek të trajtoj një nga
temat më aktuale dhe të një rëndësi të veçantë për ne, si Kishë dhe si popull. Temat
e parashtruara mbi Islamin dhe Identitetin Evropian janë shtytje për shqyrtime të
përimta, morale, kulturore dhe sociale edhe për ne. Përvoja jonë e deritanishme e
bashkëjetesës në paqe mes krishterimit dhe Islamit, mundë të jetë e dobishme në kërkimin
e përgjigjeve tuaja dhe prek vëmendjen tonë, ashtu sikurse edhe gjithë njerëzve vullnetmirë,
që duan të ndërtojnë një Evropë pluraliste. Është fakt që një pjesë e madhe e
popullit tim, nën trysninë e rrethanave historike, ka ndryshuan fenë, por jo dashurinë
ndër-vëllazërore, respektin për fenë e mëparshme dhe kujtesën e bashkëndarjes së vlerave
të përbashkëta të qytetërimit perëndimor. Këndej themi që: Kisha jonë, historikisht
ka mbetët shtyllë e civilizimit Evropian te Shqiptarët dhe nyja e vetme që ka mbajt
shqiptarët të pashkëputur nga ky qytetërim. Kjo përvojë ka krijuar komunikim normal
dhe bashkëjetesë në paqe mes qytetërimeve dhe feve ndër ne. Këndej është përgjegjësi
e të gjithëve që të kontribuojnë në ruajtjen e kësaj pasurie të përbashkët nga indoktrinomi
që kohëve të fundit po vjen nga Lindja dhe relativizmi e indiferentizmi që po vjen
nga Perëndimi. Mbetet përgjegjësi dhe detyrë e jona, të kultivojmë edhe në të
ardhmen traditën e tolerancës dhe bashkimit në dallime. Këto pasuri të trashëguara
duhet ushqyer me forma të reja të lirisë dhe të demokracisë nëpërmjet dialogut dhe
respektit të vlerave të ndërsjellta. Ju faleminderit për vëmendjen Imzot Dodë
Gjergji