Dom Lazer Shantoja: Kur botën mundet me e shelbue vetëm "e bukura"
Kujtojmë poetin dom Lazer Shantoja në pervjetorin e lindjes, kur botën mundet me e
shelbue vetëm "e bukura" Poetët vriten atëherë kur e rrejshmja ka fatin me u quejt
ligjë e ligji shpreh shëmtimin e mbrendshëm të njeriut, atëherë ata vriten e kângët
e tyne heshtin në shurdhimin e paskaj të vetë ndërgjegjes së njerzve. Me 5 mars
1945 në të dalun të Tiranës, nji nadje heret nji grup partizanësh i dha fund me nji
krisëm batarjet jetës së njenit prej poetëve mâ të ndieshëm e skofiar (delikat) qi
ka pasë letërsija jonë e shekullit të njizetë. Trupi i tij i munduem prej torturash,
kamba e tij e kalbzueme prej gangrenës, gishtat e thyem prej thuprave të hekurta,
fytyra e vuejtun e sytë pa shkëlqim ju falen nji grope të paemën diku ndër kodrat
buzë lumit. Ato duer qi dijshin me i ra aq ambël pianofortes, tue përhap jonet e lied-eve
të Schumann-it, Schubert-it, Franz-it, ato gishta qi kthyen shqip Goethe-n e Schiller-in
nuk gjetën nji zemër të mëshirshme qi t’i pështonte. Gjoksin e atij idealisti qi shkoi
në mërgim 15 vjetë jetë, mbasi ishte anmik i regjimit të Zogut, e shpuen plumbat mizorë
të nji marrije qi po përshkonte fund e maje Shqipninë. Ndërsa nana e vet plakë, bashkëvuejtsja
e mërgimit të gjatë, tue e pa të birin ashtu të shëmtuem prej torturash, me trupin
gjysë të kalbun në nji thes, iu lut gjakatarëve qi t’ia vrisnin në shęnj mëshiret.
Kur nanat e poetëve lusin vdekjen e bijve të tyne, don me thânë se bota âsht shëmtue
e ka bjerrë ndjesitë njerëzore. Megjithatë, n’ato çasa të fundit në burgun e Tiranës,
u gjet nji zemër e dhimbshme qi i dha pak kafe e nji tjetër dorë miqsore i preu gishtat
e kambës qi i vareshin të lidhun vetëm me nji copë lëkurë. Kështu mbyten poetët
tek na, kështu dhunohet tempulli i Muzave tue i dhanë botës rasën me pa se sa afër
âsht njeriu me shtazët e egra atëherë kur e vret të bukuren. Atë ditë marsi, ish
studenti i Innsbruck-ut, publicisti i "Orës së Maleve", miku i Luigj Gurakuqit, Anton
Harapit, Ernest Koliqit, themeluesi i "Orës së Shqipnís" në Vjenë, oratori i flaktë
mbi vorrin e Avni Rustemit, miku i Hasan Prishtinës e i Mustafa Krujës do të vdiste
tue lanë nji nanë plakë të braktisun prej botës, e cila mbas pak kishte për të dhanë
shpirt e helmueme dhe e turbullueme prej dhimbës qi shorti i pat premtue. Bota e qytetnueme
poetëve të vet, pa dallim fejet e bindjesh politike, i ngreh përmendore e ia mëson
përmendsh vargjet, ndërsa ne, ja thyejmë kambët e i vrasim sikur të ishin gjakbâsa
e hajduta. Kurse kriminelat ndër ne plaken në shtëpijat qi i kanë grabitë të tjerëve
e vdesin në shtrat pa iu dridh qerpiku. Kjo âsht humnera qi historia ka vue ndërmjet
nji vendi të qytetnuem e nji vendi qi nuk njeh qytetnim. Poeti âsht zâni i ndërgjegjes,
âsht hyjnorja qi banon midis nesh e heshtun, pa bâ bujë e pa lypë nderimin e turmave.
Poeti: "miku i hyjve", siç e quen Goethe-ja, âsht mâ poet bash atëherë kur njerëzit
e tradhtojnë dhe e braktisin, kur ai ndien thellësisht vetminë e vet në ketë botë,
e cila âsht e huej për tę dhe âsht anmike e së bukurës. Lazër Shantoja nuk iku
prej Shqipnijet atë fund nandorit të zymtë të vjetit 1944, pse vargjet e tija s’kishin
mbjellë urrejtje e tingujt e tij s’kishin vra askęnd; zâni i tij i ambël vetëm kishte
afrue njerëzit te lirija dhe te Zoti. N’ato çasa të fundit të jetës i erdhën ndër
mend vjetët e mërgimit, shetinat në rrethinat e Beogradit në 1928, vjetët e ethshme
të Vjenës, atëherë kur në Schaumburgergasse, i përkrahun prej Hasan Prishtinës nxirrte
"Orën e Shqipnís", jo larg konsullatës shqiptare, mbrenda mureve të së cilës, Çatin
Saraçi thurte intriga e pregatitëte vrasje mbas shpinet. Ju kujtue Jura bernese ku
mes alpesh kaloi vjetë të lume tue andrrue e tue shkrue për atdheun e vet, ju kujtuen
miqtë qi s’ishin mâ, shumica të ramë nën plumbat e trathtisë: Luigj Gurakuqi, Bajram
Curri, Hasan Prishtina, Avni Rustemi, Mark Raka. I erdhën ndër mend vargjet e rinisë: Ah,
mos e lyp at varg! ... Asht shum mâ mirë korimbat (1) t’tú mos t’dijn ça do me
thânë me qęn’ poetë e mos me qęnë i lirë, me kndue me goj’ kur zęmërngrita qanë. Pse
duhen vra poetët? Ata s’i përkasin veçse poezís, e kjo s’ka as parti e as atdhé, s’duron
roje e s’ka plumb qi ja shpon gjoksin. Poetët duen me e pështue botën nepërmjet së
bukurës, duen qi njerëzit të sundohen prej ndjenjave t’nalta dhe jo prej arsyes së
ftohtë e as prej teknikës, duen qi e pangjyra e anonimja t’ja lëshojnë vendin të thjeshtës
e të përkores, asaj qi mbërrin me na mahnit e me na shelbue në ketë “luginë të përvajshme”
qi âsht jeta. Qe se çka shkruente te revista "Illyria" në tetor të 1935, në nji
kohë qi ishte n’mërgim në Helvetí: “Nji âsht rruga qi na çon tu populli i ynë!
Ky popull âsht i mirë. Pret ndihmë prej nesh e me të drejtë. Djersa e tij na ka dhânë
shkollën. Për me i ndihmue këtij populli na jemi nda shpirtnisht prej tij e kemi formue
nji klasë në vete, klasën intelektuale. Të jét nji klasë e jo nji kastë. Nuk do të
bâhemi beglerët e męndes e të pendës. Mos t’i grabisim popullit edhe shpirtin! Të
na duken sikur janë “faje të rânda ândrrat e argtimi i ynë i ushqyem me mjerimin e
nânave e të fëmijve pa ndimë e proje.” A nuk shkrou kështu nji shok i jueji tash vonë
në nji copë proze së mrekullueshme, shtatore apologu të vjetër, në Rivistën t’uej?
Poshtë putat, po! T’i rrëxojmë së bashkut e të gjithë. Pa mëshrirë. Pse jo? As na
nuk adhurojmë puta. Por na e dijmë se putat rrëzohen vetëm atëherë kur nëpër rradhët
e mykta të tyne të kalojë flladi i freskët i Hyjnís. Përndryshej rrëxojmë nji put
e ngrehim nji tjetër. Na nuk dijmë ndoshta sod sa dijni ju, e kët send na e dijmë
pse na e njohim at popull qi ju nuk njihni. Populli shqiptar beson në tokën e të parve
të vet, por edhe në qiellin qi shtrihet mbi tę. Qiellin plot me hyj! Doni me i a fikë?
Mosni, pashë të rijtë t’uej, mosni! Nuk e ka meritue!” Migjeni kishte botue disa
skica të tija te numrat e mâparshëm të "Illyrisë", bashkë me poezinë “Shpirtent shtegtarë”
e cila mbyllej me vargjet: “shtegtarë të mërguem, shpirtënt tonë n’origjinë po kthejnë”. Shantoja
nuk donte qi utopia e sinqertë e disa idealistave t’u bânte shkak qi histeria e kriminelave
të vęnte dorë në të ardhmen e kombit, nuk donte qi andrra nietzsche-ane e Migjenin
për nji "mbinjerí" të frymëzonte "grushtin" e urrejtjes qi mund t’ja fikte Shqipnisë
qiellin plot me yje. Poeti don evolucion dhe jo revolucion, don dashuninë dhe jo dhunen
e verbët, urren hipokrizinë e llafet e qelbta, por gjithsesi s’pranon nji t’ardhme
të pikëzueme prej shkulmeve të gjakut të pafajshëm. Poeti, na ka mësue Schiller-i,
don me pajtue me anë të së bukurës arsyen me ndjenjat, don me edukue e jo me djegë,
ai e din qi arsyeja e ftohtë e gjanave âsht jo-njerëzore, ashtu si pasionet e pakontrollueme
zbulojnë anën tonë primitive e të pagdhendun, nxjerrin prej shpellave të ndërgjegjes
troglotidin qi mshehet mbrenda nesh. E bukura âsht lirija vetë, dhe e bukura nuk
lind kurrë konflikte e luftna, ajo âsht qëllimi i fundit i ekzistencës sonë. Por poeti
i len gjanat përgjysë, ai tregon shęnjat për ata qi të bukuren e kërkojnë e ikë përgjithmonë
andej prej kah ka ardhë, mbasi ai nuk i përket njerzve, ai âsht i Hireve të Amshimit
– e premton se: “... un tash i a kndoj mâ t’bukrin varg hyjneshës Afërdite ndër
hije t’qiparisavet kur t’shkoj”. Por hijet e qiparisave ku prehet Shantoja na nuk
i dijmë, pse vorrin bota poetit ja ka tretë për me i bâ vend atyne qi do t’i këndojshin
vorrit të lirisë. Novalis ka shkrue se mbretnija e poetit âsht bota, mjafton qi ky
ta mbrűjnë me shpirtin e tij, mbasi poeti âsht profeti qi i jep shpirt natyrës. Atëherë
poetin kena me e gjetë nën hijen e qiparisave të tanë botës, pse e bukura e bân atę
përjetësisht të vërtetë. Poeti Shantoja âsht nji qi ka kërkue me mbrűjtë botën me
anë të poezisë, mbasi ku ka mâ shumë poezí atje ka mâ shumë vërtetësí, tue qenë se
poezija âsht i vetmi mjet qi udhton lirshëm prej shpirtit te natyra e anasjelltas. Mos
t’i vrasim pra kurrë mâ poetët, me helm e as me plumb, pse ndoshta Muzat idhnohet
e na lanë me jetue në vorfninë prozaike të nji jete të zymtë, të ndriçueme veç prej
nji vetime - qi tepër vonë mbërrin me na diftue se jeta na shkoi kot e se vdekja sovrane
afrohet me na shqymb përgjithmonë. Por âsht fort ma zí për ne, në qoftë se Muzat na
dënojnë tue lejue midis nesh hije të mekuna poetësh, qi enden tue plazmue shije të
mbrapshta me kângët e tyne të shëmtueme. Nga Ardian Ndreca