2011-07-06 15:55:51

Marrëveshje Seli e Shenjtë-Azerbajxhan: rregullohet situata juridike e Kishës. Për Imzot Mambertì : ngjarje historike.


Sot paradite, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, imzot Dominik Mambertì, sekretar i Selisë Apostolike për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Azerbajxhanit, Elmar Mammadyarov, shkëmbyen mjetet e ratifikimit të Marrëveshjes ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Azerbajxhanit. Marrëveshja, shkruar në gjuhën angleze dhe azere, rregullon situatën juridike të Kishës katolike në këtë vend.
Imzot Mambertì foli për ‘marrëveshje historike’, që aktualizon parimin e lirisë fetare, shpallur nga Kushtetuta azerbajxhanase. Është një marrëveshje – shtoi - që i siguron Kishës Katolike vendase mundësinë të jetojë në paqe, plot shpresë e dëshirë për të dhënë ndihmesën e vet në të mirën e përbashkët, në gjirin e një vendi me shumicë myslimane. Mund të themi, prandaj, se është një ngjarje shumë e rëndësishme – përfundoi imzot Mambertì - që tregon se të krishterët e myslimanët mund të jetojnë së bashku, duke e respektuar njëri-tjetrin.
I pranishëm në këtë akt solemn, edhe sekretari i Shtetit të Vatikani, kardinali Tarçizo Bertone.







All the contents on this site are copyrighted ©.