2011-07-06 15:56:04

Këshilli Papnor i Emigrantëve: turizmi, çast i rëndësishëm për ungjillëzimin e dialogun.


Turizmi dhe afrimi i kulturave”. Kjo është tema për Ditën Botërore të Turizmit, që do të kremtohet më 27 shtator. Në kuadrin e kësaj dite, Këshilli Papnor i Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët, botoi sot një mesazh, në të cilin nënvizon rëndësinë gjithnjë më të madhe, që po merr turizmi, parë si çast i favorshëm për ungjillëzimin dhe dialogun ndërmjet popujve e kulturave të ndryshme të botës. Njoftohet, së fundi, se Kongresi botëror i baritorisë së turizmit, do të mbahet në Meksiko, në vitin 2012.
Kujtojmë se janë më se nëntë milion, njerëzit që bëjnë së paku një udhëtim ndërkombëtar në vit. Shifër jo e paktë, e cila të shtyn menjëherë të reflektosh për rëndësinë që ka shtegtimi, parë si takim ndërmjet kulturave të ndryshme të botës. Prej këndej titulli i mesazhit “Turizmi dhe afrimi ndërmjet kulturave”, për Ditën Botërore të Turizmit. Na kujton porosinë e Benediktit XVI: “Duhet punuar, që njerëzit jo vetëm ta pranojnë kulturën e tjetrit, por edhe ta shfrytëzojnë atë, për të pasuruar kulturën e vet”. E kjo, sepse turizmi është rast i privilegjuar i edukimit vetjak, që na kujton shprehjen e njohur popullore shqiptare: “Një i shëtitur, gjysëm filozofi!”. Pa harruar se, para nisjes, turisti duhet ta njohë mirë vendin, që do të vizitojë. Natyrisht, në letër! E pastaj edhe ta shkelë, t’i sodisë nga afër bukuritë e natyrës e t’i njohë pasuritë e tjera të vendit të ri, të panjohur, duke nisur nga arti i kuzhinës, për të përfunduar në elementet më të rëndësishme të kulturës e të artit, në përgjithësi, nga të cilat lind vetvetiu dëshira, e nevoja, për afrim e dialog.







All the contents on this site are copyrighted ©.