2011-07-06 15:55:35

Imzot Filoni i paraqet Papës botimin VI të Atlasit Hierarchicus


Papa priti sot paradite në audiencë imzot Fernando Filonin, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, që i paraqiti Atit të Shenjtë botimin VI të Atlasit Hierarchicus. Është një vepër me vlerë të madhe që, përmes tabelave me ngjyra, realizuar me mjeshtri, si dhe shënimeve statistikore, jep të dhëna aktuale me vlerë për praninë e Kishës në kontinente të ndryshme si dhe kuadrin e përgjithshëm të katolikëve në botë. Në plan të parë, Kishat e reja, ndërtuar vitet e fundit si dhe lista e plotë e qarqeve kishtare.
Botimi i ri, 4 kopjet e para të të cilit iu dhuruan Papës, u realizua dhe u financua nga Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve. Botues është “Urbaniana University Press”, Shtëpia Botuese e Universitetit Papnor Urbanian. Hyrja, shkruar nga vetë Ati i Shenjtë, e thekson më shumë rëndësinë e botimit të ri për jetën e Kishës Katolike.
Botimi i mëparshëm datohet 1992. Selia e Shenjtë e pati nxitur prej kohe Kongregatën për rishikimin dhe risimin e këtij botimi, në sa njerëzimi ndryshon me shpejtësi të rrufeshme e me të, edhe jeta e Kishës dhe e besimtarëve, në vende të ndryshme e në botën mbarë. Vit pas viti, kudo lindin bashkësi të reja, shtohet vazhdimisht numri i të pagëzuarve, ashtu si edhe qarqet kishtare e, sidomos, dioqezat e kryedioqezat. Prej këndej, botimi i një Atlasi të ri qe bërë më se i domosdoshëm. Qëllimi nuk ishte thjesht paraqitja e statistikave të hollësishme për vendet e ndryshme, por edhe e vizionit të përgjithshëm aktual e atij gjeografik të popullsisë katolike. Atlasi botohet në gjuhët kryesore të botës: anglisht, frëngjisht, spanjisht e italisht.
U deshën katër vjet pune të kujdesshme, që Atlasi i ri të shikonte dritën e shtypit.Imzot Filoni shoqërohej nga rregulltari verbit, atë Xhankarlo Xhirardi, redaktor i botimit dhe nga Rregulltari françeskan, atë Leonardo Sileo, drejtor i Shtëpisë Botuese të Universitetit Urbanian.







All the contents on this site are copyrighted ©.