2011-07-05 16:14:45

“Lux in Arcana”: Arkivi Sekret për herë të parë jashtë Vatikanit në ekspozitë pranë Muzeve romake, në shkurt 2012.


“Lux in Arcana” (Dritë mbi Arkivat) është titulli i ekspozitës kushtuar Arkivit Sekret vatikanas, që do të hapet në Muzetë Kapitoline të Romës. Kjo ngjarje, e shumëpritur nga studiuesit, por edhe nga publiku, u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Me gazetarët folën kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij; Gjani Alemano, kryetar i Bashkisë; kardinali Rafaele Farina, arkivist dhe Bibliotekar i Kishës Shenjte Romake si dhe prefekti i Arkivit Sekret të Vatikanit, imzot Sergjo Pagano.

“Arkivi Sekret i Vatikanit zbulon të fshehtat” është nëntitulli i Ekspozitës, që do të hapet në shkurt 2012 e do të mund të vizitohet për gjashtë muaj me radhë, jashtë Qytetit Leonin, mbi Kodrën e Kapitolit, simbol, që siç u shpreh kardinali Bertone, na kujton zemrën e Romës dhe marrëdhëniet me Selinë e Shën Pjetrit, që përtërihen:
“Edhe një herë provuam se, nga vështirësitë dhe përpjekjet për të bashkuar perspektiva të ndryshme, lind zhvillimi: dialogu, shkëmbimi i përvojës, diskutimi shkencor i përmirësojnë gjithnjë pikësynimet, drejt të cilave shkohet me shtytje të ndryshme”.
Ishte Papa Siksti IV, mecenati i madh i Bibliotekës së Vatikanit, që e vuri atë në shërbim të publikut, formoi bërthamën e arkivit dhe, më 1471, i dhuroi popullit romak Ulkonjën prej bronzi, simbol i Romës, si dhe thesare të tjera, duke urdhëruar të vendoseshin në Pallatin e Konservatorëve, në Kapitol, vend ku u themeluan Muzetë e sotme kapitoline.
Karta, pergamena, kode, dorëshkrime, akte e dokumente, mbledhur nga Papët prej më se katër shekujsh, në shërbim të historianëve e të njerëzve të kulturës, për herë të parë të eskspozuara për publikun e gjerë, për njerëzit e pasionuar pas librave të rralla e dokumenteve të lashta. Por edhe për kureshtarët. E për herë të parë, jashtë mureve të Vatikanit, shfletuar para syve të të gjithëve, siç nënvizoi kardinali Farina:
Është një zbulim i menduar dhe i dëshiruar pa pengesa e pa frikë, natyrisht nën shtytjen e një rasti, si ai i 400-vjetorit të themelimit e të krenarisë së ligjshme për shërbimin ndaj Kishës e kulturës për katër shekuj, me një punë të palodhur për ruajtjen, regjistrimin, kujdesin, progresin e kërkimit shkencor gjithnjë më të përparuar”.
“Lux in Arcana”, dritë mbi arkivat, për vetë natyrën e tyre tejet xhelozë, që i ruajnë gjithnjë me kujdesin më të madh thesaret e veta, tha kardinali Bertone, duke shpjeguar titullin e Ekspozitës. Dritë mbi natyrën, përmbajtjen dhe veprimtarinë e “institucionit të lashtë”, e përforcoi fjalën e Kardinalit Bertone, imzot Pagano, duke shpjeguar kriterin, që u ndoq në përzgjedhjen e materialit:
“…na u desh të zgjedhim ndërmjet miliona kartave të ruajtura në Arkivin Sekret të Vatikanit, rreth 100 dokumente, që mund të shpjegojnë natyrën e ndërlikuar të përmbajtjes, në mënyrë sa më shteruese”.
Ndërmjet teksteve, që përmendi prefekti i Arkivit të Vatikanit, kujtojmë Dictatus papae të Gregorit VII, dokument i shekullit XI; Kodin e 1600-tës të procesit të Galileo Galileit dhe disa dokumente me vlerë të veçantë të Luftës II Botërore.
Ngjarje e pashembullt, e jashtëzakonshme, e quajti kryetari i Bashkisë së Romës, Alemano, duke theksuar rëndësinë e Ekspozitës, për njohjen e historisë së njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.