Më 4 korrik kalendari kishtar përkujton shën Izabelën e Portugalisë, mbretëreshë
Izabela ishte bija e Pjetrit, mbretit të ardhshëm të Aragnoës, lindi në Saragozë të
Spanjës më 1271, vdiq në Estremoz të Portugalisë më 4 korrik 1336. Duke qenë bijë
mbreti, ishte e natyrshme të martohej me një mbret. E këtë sigurisht që do ta vendosnin
të afërmit të cilët, në sa ajo ishte vetëm 12 vjeçe, ia dhanë për nuse Dionizit, mbretit
të Portugalisë. Dionizi kishte plot merita: zhvilloi ekonominë portugeze, krijoi flotën,
themeloi universitetin e Lisbonës, që më pas do të transferohej në Koimbra. Ishte
sundimtar i mirë, por bashkëshort i keq, gjithnjë i ngatërruar me gra të tjera, që
i nxorën në dritë një mori fëmijësh, përveç dy fëmijëve që i fali Zoti me Izabelën.
E ajo, ndonëse e fyer dhe e tradhtuar nga i shoqi, vijoi t’i qëndronte besnike
në mënyrë shembullore, duke ia kushtuar gjithë vetveten fëmijëve: Alfonsit e Kostancës
si dhe të sëmurëve që kishin lëngatë të këqija, siç quheshin asokohe. E jo vetëm kaq:
nisi të kujdesej edhe për fëmijët që nxirrnin në dritë gratë e tjera, me të cilat
së pushonte s’u ngatërruari i shoqi. Kryente kështu një vepër vërtetë të krishterë.
Si mbretëreshë e madhe që ishte. E Dionisi i pabesë nuk mund të mos e ndjente epërsinë
e saj morale, gjë që e vërteton çasti kur i biri, Alfonsi, çoi krye kundër t’et. Vetëm
autoriteti i padiskutueshëm i Izabelës mundi ta shmangë ndeshjen e armatosur atë e
bir. Pas kësaj ngjarje, u akuzua se nxiste të birin kundër mbretit dhe u internua
në Alenkuer, në veri të Lisbonës. Por shumë shpejt mbreti e thirri rishtas pranë:
kishte nevojë për të, për këshillat e saj. E ajo u kthye prapë në vendin e vet, pranë
mbretit. E kur Dionisi u sëmur nga një sëmundje vdekjeprurëse, ishte ajo që u kujdes
për të shoqin, deri në çastin e fundit. Pas vdekjes së mbretit, më 1325, në fron
u ul i biri, Alfonsi IV, por Izabela nuk i ndenji pranë, si nënë mbretëreshë që ishte.
U bë shtegtare e pendestare. Veshur me zhgunin e terciares françeskane, shkoi këmbëzbathur
deri në Shenjtëroren e Shën Jakut të Kompostelës. Pastaj u strehua nga klariset në
kuvendin e Koimbrës, themeluar prej saj e jetoi aty, por pa i bërë kushtet, të cilat
do t’i merrte vetëm pak para se të vdiste. Kuvendi u bë shtëpia e saj përgjithnjë.
Doli që aty vetëm një herë: kur iu desh të pajtonte të birin, Alfonsin IV me Ferdinandin,
mbretin e Kastiljes, dhëndrin e saj, burrin e Kostancës. Ishte 65 vjeçe. Trupi i saj,
i ligështuar nga pendesët e shumta, nuk qe më në gjendje të përballonte mundimin e
një udhëtimi të bërë në kulmin e vapës. Takoi të birin e të renë, u ndal në Estremos,
po nuk mundi të vijonte më tej. Lodhja dhe ethet ia këputën jetën. Trupi i Izabelës
u bartë në kuvendin e Koimbrës. Më 1612 kur i zbulua gjatë bartjes për procesionin
e shenjtërimit, u gjet i patretur. Kanonizimi solemn i saj u kremtua në Romë në vitin
1625, nën papninë e Urbanit VIII.