2011-07-01 13:03:09

Sot Kisha kremton festën e Zemrës së Krishtit


Solemniteti i Zemrës së Shenjtë të Jezu Krishtit, i cili zemërbutë dhe i përvujtë, i lavdëruar mbi kryq, është bërë burim jete e dashurie, ku ushqehen shpirtërisht të gjithë popujt. Kjo festë është një përshpirtëri e përhapur në gjysmën e 1700-tës përmes Shenjtores Margerita Maria Alakok.
Me solemnitetin e Zemrës së Shuguruar të Jezu Krishtit, prej disa vitesh përkon edhe Dita e Shenjtërimit për Klerin. Nisma e ka zanafillën në vitin 1995, kur Gjon Pali II, duke pranuar propozimin e Kongregatës për Klerin, caktoi datën vjetore të Ditës së Shenjtërimit për Klerin. Që atëherë kjo Ditë kremtohet në solemnitetin e Zemrës së Krishtit ose në ndonjë datë tjetër të rëndësishme, sipas mundësive ose traditave vendase.
Solemniteti i Zemrës së Krishti është festa në të cilën, në mënyrë të veçantë, lavdërojmë dashurinë e Hyjit. Lindi në shekullin XVII pas zbulimeve që i bëri Jezusi Shenjtes Margerita Alakok, rregulltare e Vizitacionit. Në vitin 1675 Krishti iu duk murgeshës, duke e ftuar ta përhapte flakën e dashurisë së Zotit e, duke ua treguar Kishave zemrën e tij, të kërkonte themelimin e një kulti publik dhe liturgjik. Ja një nga shpjegimet për të kuptuar kultin ndaj Zemrës së Krishtit: Në Zemrën e Krishtit adhurojmë dashurinë e Hyjit për njerëzimin, dëshirën e Tij për shëlbimin universal dhe mëshirën e tij të pambaruar.
Ç’ do të thotë të jesh i devoçëm apo i përshpirtshëm i Zemrës së Krishtit?
Do të thotë ta adhurosh Zemrën e Krishtit si seli të dashurisë së Zotit e të mëshirës së tij të pambaruar. Jezu Krishti e bëri të dukshme dashurinë e Atit përmes Zemrës së Tij njerëzore, të ndjeshme, plot me dashuri e mëshirë. Kulti publik liturgjik i Zemrës së Krishtit bazohet mbi zbulimet që vetë Zemra e Krishtit i bëri motrës së shenjtë, Margerita Marisë e, para saj, edhe mistikëve të tjerë. Jezusi iu duk nën formën e një dielli të shkëlqyer e i tha këto fjalë: ‘Kjo zemër e shporuar mbi Kryq nga dashuria, në vend që të gjejë ndër njerëz dashuri e mirënjohje, gjen përbuzje, fyerje e deri blasfemi’. E Jezusi i tha rishtas: ‘E shpëtova botën me Kryqin e mundimeve të mia. E tani dua ta shpëtoj përsëri, duke i treguar Zemrën time, oqean i mëshirës sime të pambaruar’. E më pas Krishti kërkoi kultin, jo vetëm individual, por edhe publik e shoqëror, kultin liturgjik, me themelimin e festës së Zemrës së tij të Shuguruar ditën e parë pas tetëditshes të Solemnitetit të Korpit të Krishtit. Jezusi ka thënë: mësoni nga unë që jam zemërbutë e i përvujtë. Dhe jeta jonë ka lindur e duhet të përtërihet nga Zemra e shporuar e Jezu Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.