2011-07-01 18:00:35

Shqipëri: Berisha takon raportuesit e komisionit të Këshillit të Evropës


Kryeministri Shqipërisë Berisha priti sot në Tiranë Bashkëraportuesit e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Senatorin çek Tomas Jirsa dhe deputetin moldav, Grigore Petrenco, të cilët ndodhen në Shqipëri me një mision faktmbledhës.
Berisha shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer që Shqipëria ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe me Asamblenë Parlamentare dhe Këshillin e Evropës, si dhe i falënderoi ata për një sërë programesh të KE-së për Shqipërinë, që po japin një kontribut të rëndësishëm në shumë fusha.
Senatori çek Tomas Jirsa e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke i rikonfirmuar atij vullnetin për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit.
Në takim u vlerësuan një sërë arritjesh të rëndësishme në fushën e infrastrukturës ligjore dhe asaj teknike që mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Ndër këto arritje, senatori çek Jirsa veçoi regjistrin elektronik qendror të shtetasve, prej të cilit del më vonë edhe lista e votuesve, duke theksuar se si rezultat i realizimit të këtij projekti të rëndësishëm, Shqipëria përfitoi edhe heqjen e vizave për qytetarët e saj, çka senatori çek e cilësoi si një arritje madhështore për vendin.
Kryeministri Shqipërisë Berisha i njohu bashkëbiseduesit me të gjitha zhvillimet për sa i përket zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 dhe u rikonfirmoi vullnetin dhe vendosmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në mënyrë tërësisht të hapur e transparente me opozitën, për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të vitit 2013, por dhe reforma te tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe bashkëpunim midis mazhorancës dhe opozitës.







All the contents on this site are copyrighted ©.