2011-07-01 16:32:29

Mirënjohja e Benediktit XVI për 60-vjetorin e meshtarisë. Intervistë me Georg Razinger për hollësitë e shugurimit.


Një reflektim i gjatë, intim, kushtuar meshtarisë, miqësisë krejt të veçantë, që lidh meshtarin me Krishtin, bazuar mbi kujtimet e 60-vjetëve të misionit meshtarak, pikërisht në ditën, kur kremtoi 60-vjetorin e shugurimit. Ishte në qendër të vëmendjes në homelinë e Papës, gjatë Meshës solemne, kryesuar në Bazilikën e Vatikanit, në solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj, Pjetër e Pal. Duke menduar për vitet e gjata të misionit meshtarak, plot gjashtëdhjetë, Papa, ndërmjet tjerash, tha: “Në këtë orë, ndjej shtytjen të shikoj me sytë e mendjes rrugën e përshkuar gjatë gjashtë dhjetëvjeçarëve. Ndjej shtytjen t’ju them ju, të gjithë meshtarëve e ipeshkvijve, ashtu si edhe besimtarëve të Kishës, një fjalë guximi e shprese, një fjalë, që buron nga bindja se Zoti është i mirë. Por duhet theksuar se, mbi të gjitha, sot është dita e mirënjohjes: mirënjohje ndaj Zotit, për miqësinë që më dhuroi e që dëshiron të na e dhurojë të gjithëve. E mirënjohje ndaj njerëzve, që më edukuan e më shoqëruan në çdo hap të jetës sime meshtarake.
Ndërmjet këtyre njerëzve, një nga më të afërmit, vëllai i Jozef Racinger, don George, intervistuar me këtë rast të madh nga Radio Vatikani:

Radio Vatikani: - Si e kujtoni ditën e shugurimit meshtarak, që e jetuat së bashku me vëllain tuaj, 60-vjet më parë?

Georg Razinger: - Vështirë ta shpjegoj me pak fjalë. Ishte një ditë tepër solemne. U përgatitem shumë mirë për atë çast, si shpirtërisht, ashtu edhe praktikisht. Festë vërtet e bukur, që nisi me hyrjen në katedralen e Frisingës. E kishim krejt të qartë se po jetonim një nga ditët më të rëndësishme të jetës sonë. Gjithsesi, na u desh që po atë pasdite, të niseshim nga Frisinga, sepse duhej të merrnim pjesë në shugurimin e një miku.

Radio Vatikani: - Ishit 40 kandidatë për meshtarë atë ditë, apo jo? Një grup, që jetonte të njëjtat emocione...

Georg Razinger: - Ishim një grup shumë i larmishëm. Disa ishin të rinj. Im vëlla ishte i parafundit, përsa i përket moshës. Por kishte edhe ndonjë meshtar të ri, që edhe fort i ri nuk ishte. E kjo, si pasojë e luftës, e cila pengoi shumëkend të bëhej meshtar në kohën e duhur. Gjithsesi, ishim vërtet një grup i bukur. Secili nga ne ishte në gjendje të dhuronte diçka të mirë, të çmuar, nga jeta e tij!

Radio Vatikani: - Ju folët për moshën e ndryshme të kandidatëve, që u shuguruan së bashku me ju. Vëllai juaj ishte tri vjet më i ri se ju. A mund t’ju bëjmë një pyetje paksa intime: a e ndjenit sadopak veten, edhe atë ditë, ditë e shugurimit, si vëllai më i madh, apo për ju nuk kishte kurrfarë rëndësie kush ishte vëllai i madh e kush i vogli?
Georg Razinger: - Jo, për mua mosha nuk kishte kurrfarë rëndësie. Im vëlla ishte tepër i pjekur. E, në ditën e shugurimit, gjëja më e rëndësishme ishte pikërisht shugurimi!

Radio Vatikani: - Ju ndoqët si rrugën meshtarake, ashtu edhe atë muzikore. A i kujtoni ende muzikën dhe këngët e kënduara gjatë asaj Meshe të jashtëzakonshme, plot me ndjenja të holla e tinguj, që ju hapte rrugën e madhe kah elteri i Zotit?

Georg Razinger: - Për fat të keq, sot nuk më kujtohen me saktësi. Gjithsesi, kujtoj se asokohe isha anëtar i një kori, të përbërë nga meshtarë, e se ditën e shugurimit kënduam pak a shum të njëjtat këngë. Më kujtohet “Veni Creator” e “Christus Vincit”, që dëgjohen edhe sot e kësaj dite në Frisingë gjatë shugurimeve meshtarake. Por emrat e kompozitorëve nuk po më vijnë në mendje sot, pas 60 vjetësh. Punë kujtese. Ka rrjedhur shumë kohë, që atëhere.

Radio Vatikani: - A keni ruajtur ndonjë send të posaçëm, që ju kujton atë ditë?

Georg Razinger: - Unë e kam ende stolën e veladonin e asaj dite. Tjetër gjë nuk mbaj mend të kem ruajtur.

Radio Vatikani: - Shugurimi meshtarak, në një farë mënyre, është si dasëm. Ftohen miq, dashamirë, të cilët kremtojnë së bashku me atë, që i dha përgjithnjë besën Krishtit. Kush merrte pjesë nga familja Razinger?

Georg Razinger: - Ishin prindërit tanë, e edhe motra. Por nuk kishte njerëz të tjerë, të veçantë. Për ne, kishte rëndësi kryesore t’i kishim pranë prindërit e të ishim të bashkuar.

Radio Vatikani: - Nofka juaj e fëmijërisë ishte Orgel-Ratz (muzikofili), ndërsa e vëllait tuj, Bucher-Treatz (Bibliofili). A e patët të qartë, ditën e shugurimit, se jetët tuaja do të ndiqnin pikërisht këto rrugë? Se njëri do t’i kushtohej muzikës e tjetri Librit, me shkronjë të madhe, që do të thotë Biblës, Shkrimit të Shenjtë e misionit, që buron prej tij?

Georg Razinger: - Im vëlla kishte fituar tashmë njëfarë përvoje në fushën teologjike. E kishte të qartë se do të ecte në rrugën e teologjisë. Ndërsa rruga ime më çoi tek muzika. Por duhet thënë se asokohe nuk e kishim akoma të qartë ku do të na çonin prirjet tona. Në kohën e shugurimit, gjëja më e rëndësishme për ne ishte të bëheshim meshtarë!

Radio Vatikani: - A patët menduar ndonjëherë, ju ose vëllai juaj, të hynit në ndonjë urdhër rregulltar?

Georg Razinger: - Unë nuk kam menduar kurrë, e besoj, as im vëlla. Por këtë nuk mund ta them me siguri.

Radio Vatikani: - Sipas jush, ka më shumë rëndësi shugurimi meshtarak, apo zgjedhja në fronin e Shën Pjetrit?

Georg Razinger: - Shugurimi meshtarak është themelor. Edhe për t’u bërë Papë, duhet ta kesh marrë këtë sakrament. Natyrisht përgjegjësitë e detyrat janë shumë më të vështira për Papën, sesa për një meshtar. Sidoqoftë, shugurimi meshtarak është bazë për shugurimin ipeshkvnor, krijimin kardinal e zgjedhjen Papë.

Radio Vatikani: - Ç’ muzikë luajtët për 60-vjetorin e shugurimit meshtarak të vëllait tuaj këtë të mërkure?

Georg Razinger: - Për fat të keq tashmë i lexoj me vështirësi notat e edhe duart e mia nuk janë më në gjendje të lëvizin me shkathtësinë e duhur mbi tastierë. Gjithsesi, i kam në mendje notat e muzikës, me të cilat e shoqërova festën e madhe të vëllait tim. Për shumë vjet kam qenë drejtor i korit të Domspatzen. E nga kjo kohë kam kujtimet më të bukura.

Radio Vatikani: - A kishit me vete ndonjë Cd për ta dëgjuar së bashku me vëllain tuaj?

Georg Razinger: - Nuk solla asgjë me vete. Sepse im vëlla i ka të gjitha gjërat, që i nevojiten, në apartamentin e tij.

Radio Vatikani: - Faleminderit! E urime!








All the contents on this site are copyrighted ©.