Ipeshkvi imzot Frang Bardhi, shkrimtar, në përvjetorin e vdekjes
Më 1 korrik të vitit 1643 vdiq ipeshkvi shqiptar imzot Frang Bardhi, shkrimtar i letërsisë
së vjetër shqiptare. Si sot, më 1 korrik të vitit 1643 vdiq ipeshkvi shqiptar imzot
Frang Bardhi, shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare. Ai lindi në Kallmet të Zadrimës
në vitin 1606. Studioi në kolegjin kishtar të Loretos në Itali dhe në atë të Propaganda
Fides të Vatikanit në Romë. U emërua ipeshkëv në dioqezën e Sapës. Krahas misionit
e punës meshtarake dhe pastaj ipeshkvnore, imzot Frang Bardhi pati një kujdes të veçantë
për kultivimin e kulturës shqipe dhe përparimin e popullit shqiptar, e kështu zhvilloi
edhe veprimtari të dendura letrare dhe shoqëroro-politike. Ipeshkvi imzot Frang
Bardhi u mor me përkthimin e veprave katekistike, liturgjike e fetare nga italishtja
e latinishtja në shqip për formimin shpirtëror të besimtarëve të krishterë e për përforcimin
e ndërgjegjes kombëtare e shpirtërore. Por imzot Frang Bardhi njihet edhe si leksikografi
i parë shqiptar, si historian i folklorit e si etnograf. Që kur ishte student
në kolegj pat filluar të shkruante në latinisht vepra që më vonë e bënë të njohura.
Disa prej tyre janë: Dictionarium latino - epiroticum (1635, Romë ), ("Fjalori latinisht
- shqip" dhe "Skënderbeu" (1636, Venedik) (Apologji). Këto vepra e lidhin imzot Frang
Bardhin me humanizmin. Siç përmendem Imzot Bardhi njofton vetë se ka përkthyer edhe
libra fetarë të liturgjisë, katekizma e tjerë, të cilët sot nuk njihen, dhe se ka
shkruar disa relacione për viset shqiptare, të cilat kanë vlerë historike e në të
cilat të dhëna të shumta rreth gjendjes së popullsisë e kushteve shoqërore. Në
veprimtarinë e tij shoqëroro-politike imzot Bardhi do të jetë në radhët e para të
atdhetarëve shqiptarë që i përkushtohen luftës për t'u çliruar nga zgjedha e huaj
osmane, zhvillimit dhe përparimit të popullit, të vendit e të gjuhës shqipe. Gjendja
e mjeruar e popullit shqiptar nën sundimin e egër osman, dëshira e përpjekjet për
ta ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht
bariun shpirtëror ipeshkvin e jashtëzakonshëm imzot Bardhin. Kjo duket qartë edhe
në relacionet që ai i dërgonte herë pas here Selisë së Shenjtë, Papës e Propaganda
Fides në Vatikan. Ja si shprehet në relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet
që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve
turq: "Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve
dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i
shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse
ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhet të lerë peng rrobat
e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …" Relacionet e imzot Frang
Bardhit kanë edhe shumë të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore e shoqërore të
popullit shqiptar, për zakonet, traditën, sfidat dhe perspektivat për një të ardhme
në liri e përparim.