2011-07-01 19:05:37

Atë Lombardit: “Miku i Jezusit", kushtuar 60 vjetorit të meshtarisë së Benediktit XVI


Kanë kaluar 60-vjet nga shugurimi meshtarak i Benediktit XVI. 60-vjet, gjatë të cilave Jozef Racinger ngjiti një nga një shkallët e hjerarkisë kishtare, deri në më të lartën, duke përshkuar një udhë të gjatë, të lodhshme, por edhe mrekullisht të bukur. E pikërisht këtë udhë ripërshkon atë Federiko Lombardi, në editorialin e kësaj fundjave për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit, të cilin e titullon: “Miku i Jezusit”. E kur shprehet kështu, nuk ka parasysh vetëm Papën, por edhe më të fundmin e meshtarëve, që sapo ka shkelur në këmbën e parë të shkallës së shërbimit kishtar, si mik i Krishtit e i Njeriut!

“Jo më shërbëtorë, por miq”. Në ditën e përvjetorit të shugurimit të tij, Solemnitet i Shenjtorëve Pjetër e Pal, homelia, që mbajti Papa, ishte plot me dëshmi nga përshpirtëria e tij meshtarake. Çka të prek më shumë, është theksimi me ngulm i lidhjes personale me Jezusin, që, në çastin e shugurimit, iu drejtua dhe e pranoi në rrethin e atyre, të cilëve u kishte folur drejtpërdrejt në Çenakull. Një lidhje, që bëhet aq e thellë, sa meshtari të mund të thotë me plot gojën ‘unë’, në emër të vetë Jezusit, duke përsëritur, me fryt, fjalët e tij, siç ndodh kur mbarështon Sakramentin e rrëfimit e kur shuguron EukaristinëQë nga ajo ditë, Papa ka përshkuar një udhë shumë të gjatë, duke kaluar e duke kryer detyra të ndryshme të shërbimit kishtar, deri në më të lartën. Një ecje durimtare, që ai e përshkruan si rrugë, “nën diell e nën shi; në të mira e në të vështira; në shtigjet të thepisura të pastrimit e të provës, por edhe në mrekullinë e gëzimit ungjillor”. 60-vjet besnikërie, kremtuar me thjeshtësi, pa salltanet, sepse janë më shumë dhuratë, sesa fitore e arritur me forcat vetjake. Dhuratë për mbarë Kishën e posaçërisht, për meshtarët, të cilëve Benedikti XVI, me të drejtë, nuk pushon s’u kujtuari, me fjalë, e sidomos, me shembull, se lidhja personale me Jezusin – Mikun – është burimi i pashterrshëm i gjallërisë, i fryteve të misionit të tyre e i shërbimit të tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.