2011-06-30 17:28:41

Kosova e Mali i Zi nënshkruan tri marrëveshje bashkëpunimi


Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës në Mal të Zi ka nënshkruar tri marrëveshje ndërshtetërore bashkëpunimi me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Milan Roqen. Ministri Hoxhaj e Ministri Roqen nënshkruan Marrëveshjen për ripranimin (Kthimin e Pranimin) e personave që janë pa leje qëndrimi, Marrëveshjen për regjistrimin e mëvonshëm të personave të zhvendosur nga Kosova me qëndrim në Mal të Zi, në regjistrat themeltarë dhe në regjistrin e shtetasve të Kosovës si dhe Marrëveshjen për ripranimin e personave, hyrja dhe qëndrimi i të cilëve është joligjor. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve konsiderohet si një hap drejt përmbushjes së kritereve integruese evropiane dhe tregues i faktit se dy shtetet tashmë janë të gatshme për përmbylljen e procedurave integruese në Bashkimin Evropian. Sot, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, udhëtoi në Lituani, ku do t'i bashkëngjitet Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila gjendet në një vizitë zyrtare në këtë shtet. Ministri Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Lituani, do të zhvilloj takime me ministra të Punëve të Jashtme të Evropës dhe shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.







All the contents on this site are copyrighted ©.