Mesazhi i festës së Shën Pjetrit e Shën Palit, Apostuj.
Sot me 29 qershor, Kisha katolike universale kremton solemnitetin e Shën Pjetrit e
të Shën Palit Apostuj, të cilëve Krishti u besoi ndërtimin e lartimin e ngrehinës
së Kishës Katolike Universale, që i bën ballë shekujve. Kremtohen solemnisht,
dy njerëz, që u persekutuan për vdekje. Një peshkatar e një çadërpunues. I përfunduan
ditët tragjikisht për shkak të urrejtjes kundër mesazhit që përfaqësonin, që e mbrojtën
edhe me flijimin e jetës. Shën Pjetri u mbërthye në kryq, si Mësuesi i vet. Kërkoi
ta mbërthenin e gozhdonin kokëposhtë, sepse i padenjë për një mbarim krejt të ngjashëm
me Zotin. Shën Palit iu pre koka, jashtë mureve të Romës, sepse si shtetas romak,
që kishte tradhtuar perënditë pagane, për një Zot të kryqëzuar, nuk duhej ta njolloste
qytetin me gjakun e tij. Të krijohet përshtypja se gjithçka mori fund atë ditë, me
një njeri të mbërthyer mbi kryq e një tjetër, me kokë të prerë. Por, solemniteti
i sotëm na kujton se pas çdo persekutimi, duhet parë ndeshja ndërmjet dritës e errësirës,
ndërmjet së mirës e së keqes, ndërmjet ligjit të dashurisë e ligjit të urrejtjes.
Këtë na kujtojnë sot Princat e Apostujve, nga të dyja bazilikat e mëdha romake, që
u janë kushtuar, e nga qindra kisha e kapela, përhapur kudo në botë, sot në festë
për pajtorët e tyre të fuqishëm qiellorë. Paradoks, që nuk mund të mos e shtyjë njeriun
t’i bëjë vetes pyetjen: “Po pse gjithë urrejtje, gjithë kjo mizori kundër ndjekësve
të Krishtit? Jo dikur, jo dje, por edhe sot? Paradoksale kjo mëri, për ata që i binden
ligjit të dashurisë, që marrin nga Mësuesi i tyre urdhrin të mos urrejnë asnjeri,
as armikun, as atë që i kryqëzon e ua pret kokën. Por ka edhe më. Zoti i të krishterëve
i urdhëron ndjekësit e vet ta duan atë, që s’i lë të qetë, që i mundon, thjeshtë për
ligësi, që i kryqëzon, që ua pret kokën, sepse urren Zotin e tyre! Arsyeja e persekutimit
të ndjekësve të Krishtit buroi nga risia, që sillte krishterimi, i cili pohoi me forcë
se njerëzit janë të barabartë. Madje Jezusi i sfidon ata, që kanë në dorë frenat e
botës, të atëhershme e të sotme, i prek në krenarinë e tyre të pandreqshme, kur u
kujton: “ Me të vërtetë po ju them: atë që s’e bëni për njërin prej më të vegjëlve,
nuk e keni bërë për mua!”. Jezusi vuri në qendër të botës njeriun e zakonshëm, njeriun
e vogël, njeriun shpirtërisht të çliruar nga përdhuna e të mëdhenjve. U kujtoi të
gjithëve se mund të jesh i lirë edhe në burg, edhe në kryq, ashtu si mund të jesh
skllav edhe mbi fron! Prandaj risia e bukuria e mesazhit të Jezusit, u rrok menjëherë
nga qindra mendimtarë në rrjedhë shekujsh. Edhe nga një shkrimtar, si André Gide (Andre
Zhid), çmim Nobel për letërsinë, që letrarisht zvarritej në baltë, e nga një shkrimtar
tjetër, i trazuar nga dyshime të thella, si filozofi rus, Dostojevskij. E përqafuan
këtë mesazh, sepse kush e njeh Jezusin, nuk mund të bëjë më pa Të; Jezusi është i
vetmi, që mund t’i japë kuptim jetës së njeriut, i vetmi mjek, që mund të shërojë
ligështitë tona e mjerimin tonë, duke mjekuar shkakun e vetë mjerimit, ligësinë e
shpirtit njerëzor. Në Solemnitetin e sotëm, kujtesa historike na çon në vendet
ku jetuan e u martirizuan apostujt, në Burgun Mamertin, tek burimi ujit, ku pagëzonin
shokët e qelisë, që dilnin nga burgu i vetvetes të rilindur, si ndjekës të Jezusit.
Një burg, që bëhet vend kulti. Bëhet kishë. Bëhet muze! E nuk është i vetmi: në botë,
sidomos në atë Lindore, ka burgje, ku u bënë mizoritë më të mëdha mbi të krishterët,
për shkak të urrejtjes kundër Krishtit. E nuk i përkasin shekujve të parë të krishterimit,
por shekujve të vonë, kohëve shumë pranë nesh. Krishti vetë persekutohet në njëmijë
mënyra, në bijtë e vet, ashtu si u persekutuan Apostujt e mëdhenj, që kremtojmë sot,
vetëm pse mbrojtën të voglin, nga ligësia e njeriut të pushtetshëm; vetëm pse e mësuan
të dojë e të mos urrejë askënd, as atë që u pret kokën e i kryqëzon, duke u hapur
para udhën, që çon në Mbretërinë së qiellit, së cilës ata i besonin, i besojnë, deri
në pikën e fundit të gjakut. Ky është mesazhi i Solemnitetit të sotëm!