Festa e Shën Pjetrit e Shën Palit në trevat shqiptare
Festa e Shenjtërve Apostuj Pjetër e Pal u kremtua sot kudo jetojnë e punojnë shqiptarë
katolikë, sidomos atje ku ngrihen kisha kushtuar dy apostujve e ku ata janë zgjedhur
si pajtorë qytetesh, fshatrash apo njerëzish, që janë pagëzuar me emrin e tyre. Kujtojmë
se veç bazilikave të Shën Pjetrit e të Shën Palit jashtë mureve, ngritur mbi vendin
e martirizimit të tyre, si dhe të Kishave të Shën Pjetrit në Vincolo e Shën Pjetrit
në Montorio të Romës, në botë ka shumë Kisha e katedrale kushtuar Shën Pjetrit e Shën
Palit. Apostullin e Popujve ka për pajtor katedralja e famshme e Londrës, e me
emrin e tij është pagëzuar edhe katedralja katolike e Tiranës . Shën Pjetrit
e Shën Palit i është kushtuar edhe famullia kishtare e Gjakovës. Ndër këto
katedrale e kisha sot ishte ditë feste, ashtu si ishte festë edhe ndër shtëpitë e
të krishterëve, që quhen Pjetër e Pal emra që në jug të Shqipërisë kanë trajtën Petro
e Pavllo.