2011-06-29 17:03:01

Benedikti XVI kremton 60-vjetorin e meshtarisë, në Meshën për festën e Shën Pjetrit e Palit: falënderon Zotin, që e thirri për t’i shërbyer.


Në një atmosferë lutjesh e gëzimi, Benedikti XVI kremtoi 60-vjetorin e meshtarisë. Në Solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj, Pjetër e Pal, pajtorë të Qytetit të Amshuar, Papa kryesoi, sot paradite, Meshën Shenjte, në Bazilikën e Vatikanit, kushtuar pikërisht Princit-peshkatar të Apostujve. Gjatë kremtimit, u vuri mbi supe 41 ipeshkvijve metropolitë, të thirrur sivjet për detyrën e lartë, Palion, simbol i dinjitetit ipeshkvnor e shenjë bashkimi me Selinë e Shën Pjetrit. Në kremtimin eukaristik ishte i pranishëm, si zakonisht, një delegacion i Patriarkanës Ekumenike.
Sivjet Patriku i Kostandinopojës dërgoi në Romë Fortlumturinë e Tij, Emanuel, Metropolit i Francës dhe drejtor i Zyrës së Kishës Ortodokse pranë Bashkimit Evropian; peshkopin e Sinopit, Atenagoras, ndihmës i Metropolitit të Belgjikës dhe Arkimandritin Maksimos Pothos, mëkëmbës i përgjithshëm i Metropolitit të Zvicrës.

“Nuk ju quaj më shërbëtorë, por miq”. 60-vjet pas shugurimit tim meshtarak, më tingëllojnë ende, me forcë, në shpirt, këto fjalë të Jezusit...”.
Këtë hollësi prekëse të çastit më të rëndësishëm të jetës së tij, kujtoi sot Papa në homelinë e Meshës. E më pas, fjalët e shqiptuara më 29 qershor, pikërisht 60-vjet më parë, në elterin e katedrales së Frizingës, nga kardinalit Faulhaber, në festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal. Fjalë të skalitura përgjithmonë në mendje e në zemër:
“Nuk jeni më shërbëtorë, por miq: e dija dhe e ndjeja, në atë çast, se kjo nuk ishte thjesht fjalë “ceremoniale”, citim nga Shkrimi i Shenjtë”.
Ajo, që po ndodhte atë çast, ishte diçka më tepër - vërejti Papa. Mendoja me vete:
Ai po më thërret mik. Po më pranon në rrethin e atyre, të cilëve u pati folur në Çenakull”.
Në rrethin e atyre, që Ai i njeh më mirë se të tjerët, në një mënyrë krejt të veçantë:
“Po më jep pushtetin, që gati-gati të tremb, për të thënë e për të bërë atë, që vetëm Ai, Biri i Zotit, mund ta thotë e mund ta bëjë ligjërisht: “Unë po t’i fal mëkate tuaja!”.
Zoti më beson – mendova atë ças – vijoi fillin e kujtimeve Ati i Shenjtë:
Nuk jeni më shërbëtorë, por miq: ky është një pohim që të ngjall në shpirt një gëzim të papërshkrueshëm por që, në madhështinë e vet të pacak, mund edhe të të rrënqethë, e jo vetëm në atë ças, por për vite e vite, në të gjithë përvojën e ligështisë sate e të mirësisë së tij të pashterrshme”.
Në miqësinë me Jezusin përmblidhet gjithë programi i jetës meshtarake. Por, ç’do të thotë miqësi? E, sidomos, miqësi e vërtetë? – pyeti Benedikti XVI:
“Miqësi do të thotë të të bashkojnë të njëjtat mendime, të njëjtat dëshira”.
Por, përveç këtij përkimi në mendime e në vullnet – shtoi Papa – Zoti na kujton një element të tretë, të ri:
Ai jep jetën e vet për ne! O Zot, më ndihmo të të njoh gjithnjë më mirë! Më ndihmo të jem një gjë e vetme me vullnetin tënd! Më ndihmo ta jetoj jetën time jo për vetvete, por së bashku me Ty, për të tjerët. Më ndihmo të bëhem gjithnjë më shumë Miku yt i ngushtë”.
E detyra e parë, që i cakton Krishti dishepujve, miqve – kujtoi Ati i Shenjtë – është të vihen për udhë, të dalin nga vetvetja e të shkojnë tek të tjerët:
Duam ta ndjekim Zotin, që vihet për udhë, duke i dhënë fund përtacisë, që na shtyn të kënaqemi me vetveten, në mënyrë Ai vetë të mund të hyjë në botë”.
Por Jezusi kërkon nga ne edhe të sjellim fryte, fryte që mbeten - theksoi Ati i Shenjtë - duke kujtuar simbolin e rrushit, frytit të hardhisë, nga i cili bëhet vera:
“Që rrushi të piqet mirë, duhet diell, por edhe shi, ditë e natë. Që të nxirret verë e cilësisë së lartë, rrushi do shtrydhur, do shtypur, do pritur të bëhet musht e pastaj, të fermentohet e të bëhet verë, me të njëjtën duresë e me të njëjtin kujdes, që kërkojnë të gjitha procet e pjekurisë”.
A s’ndodh kështu – pyeti Papa – me jetën e çdo njeriu e, në mënyrë krejt të veçantë, me jetën e meshtarëve?
Duke kthyer vështrimin pas, mund ta falënderojmë Zotin për të dyja gjërat: për të vështirat e për të mirat, për orët e zeza e për orët e bardha. Në të dyja rastet ne shohim praninë e vazhdueshme të dashurisë së Tij, që na mban mbi shpatulla e na duron vazhdimisht”.
Më pas Papa kujtoi solemnitetin e sotëm të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, në sa fjala e tij ndiqej nga autoritetet kishtare e civile, ambasadorët, rregulltarët e besimtarët, që ishin mbledhur me shumicë në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ndërmjet tyre, delegacioni nga Kostandinopoja, që solli në kremtim përshëndetjen edhe urimin e Bartolomeut I, Patrik Ortodoks Ekumenik.
E, para se të vendoste Paliot - kujtojmë, një stolë e bardhë, e qindisur me kryqe të vogla, simbol i grigjës së Krishtit - Benedikti XVI iu drejtua kryeipeshkvijve të rinj, duke nënvizuar edhe një herë se Paliot, që i bekon në festën e Shën Anjezes, na kujtojnë zgjedhën e ëmbël të Krishtit, që duhet ta mbajmë mbi supe:
Është zgjedha e miqësisë, e prandaj ‘zgjedhë e ëmbël”, por pikërisht për këtë, edhe zgjedhë, që kërkon e formon. Është zgjedha e vullnetit të Tij, vullnet vërtetësie e dashurie”.
Palio, që shpreh shumë konkretisht edhe bashkimin e barinjve të Kishës me Pjetrin e me pasardhësit e tij – vijoi Papa...:
“... do të thotë edhe se ne duhet të jemi Barinj për unitetin e në unitet e se, vetëm në unitetin, simbol i të cilit është Pjetri, prijmë me të vërtetë drejt Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.