2011-06-28 15:44:33

Papa priti në Vatikan, delegacionin e Patriarkatit të Kostandinopojës


Kisha Katolike kremton nesër festën e shën Pjetrit e të shën Palit, apostuj. Siç është traditë, një delegacion nga Patriarkati Ekumenik i Kostandinopojës ka ardhur në Romë për të marrë pjesë në kremtime. Sot, anëtarët e delegacionit, dërguar nga Patriku Bartolomeu I, u pritën në audiencë nga Papa Benedikti XVI.
“Pjesëmarrja juaj në këtë festën tonë – u tha Papa atyre – ashtu si edhe prania e përfaqësuesve tanë në festën e shën Andreut Apostull në Kostandinopojë shpreh miqësinë dhe vëllazërimin e vërtetë, që bashkon Kishën e Romës me Patriarkatin Ekumenik”. Benedikti XVI theksoi se ndjek me vëmendje punën e Komisionit të përbashkët katoliko-ortodoks. Dialogu teologjik, tha ai, duket sikur ka mbetur në vendnumëro, por kjo varet kryesisht nga kompleksiteti i argumenteve, që kanë nevojë për diskutime e shqyrtime të gjata. Papa i ftoi edhe një herë përfaqësuesit ortodoksë e, kujtoi se ka ftuar edhe përfaqësues të feve të tjera e të botës së kulturës, në Ditën e reflektimit, të dialogut e të lutjes për paqen e drejtësinë në botë, që do të zhvillohet në Asizi, më 27 tetor. Edhe kjo, një traditë tjetër e bukur, filluar nga i Lumi Gjon Pali II.
Nesër, në festën e shën Pjetrit e të shën Palit, apostuj, Papa Benedikti XVI do të kremtojë Meshën në Vatikan, në orën 9.30, gjatë së cilës do të bekojë e do t’u japë palion kryeipeshkvijve metropolitë të Kishës Katolike. Po nesër, Ati i Shenjtë kremton edhe 60-vjetorin e shugurimit të tij meshtarak, për të cilin i kanë ardhur urime nga e gjithë bota. Bashkohemi edhe ne me këto urime, duke falenderuar Zotin për dhuratën, që u ka bërë katolikëve të mbarë globit, duke vendosur Jozef Racinger në fronin e shën Pjetrit dhe i lutemi të vazhdojë ta mbështesë e t’i japë energji të reja në kujdesin për Kishën universale.







All the contents on this site are copyrighted ©.