2011-06-27 17:46:50

Universiteti islamik i Al Azharit propozon një kartë vlerash për respektimin e të gjitha feve


Në bazën e shtetit të ri egjiptian, dalë nga revoltat arabe, nuk duhet të jetë feja, por Kushtetuta. Kështu e sheh Egjiptin, institucioni më prestigjioz universitar i Islamit sunit, Al Azhar. Imami i madh i qendrës, Ahmed El Tajeb, shkruan gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”, paraqiti këto ditë “Kartën e vlerave të Al Azharit”, ku përvijohen marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet shtetit dhe fesë islamike, pas revolucionit të 25 janarit. 11 nene, fryt diskutimesh e konfrontimesh ndërmjet intelektualëve dhe autoriteteve fetare të vendit, kërkojnë një shtet demokratik e modern. Sharia, ligji islamik – pohohet në Kartë – duhet të mbetet burimi kryesor i legjislacionit, siç parashikon Kushtetuta aktuale, duke respektuar fetë e tjera, të cilat besimtarët kanë të drejtë t’i përqafojnë, si edhe duke mbrojtur vendet e tyre të kultit e lirinë e kultit, pa kufizime. Sipas universitetit Al Azhar, nxitja e ndeshjeve ndërfetare ndërmjet myslimanëve dhe koptëve duhet konsideruar “krim kundër atdheut”. Është gjithashtu e nevojshme të ngrihet zëri kundër përdorimit politik të fesë. Ndryshon edhe mënyra e dhënies së lejes për ndërtimin e kishave të reja. Deri tani, të krishterët i drejtoheshin presidentit, i cili mund ta zgjaste me vite kthimin e përgjigjes. Sipas ligjit të ri, nëse miratohet, këtë detyrë e ka guvernatori i përgjithshëm, i cili duhet të vendosë për lejen brenda tre muajsh. Kisha Katolike mendon se propozimi i Al Azharit është një hap përpara, por të paktën tri pika të tij duhen rishikuar e përmirësuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.