Shenjtorët e javës së ardhshme 26 qershor - 3 korrik 2011
Sot, e dielë, 26 qershor, kisha kremton solemnitetin e Korpit e të Gjakut të
Krishtit. Eukaristia është gostia e Pashkëve, në të cilën Krishti, duke realizuar
sakramentalisht Pashkët e veta, na dhuron Korpin e Gjakun e vet, të ofruara si ushqim
e pije, na bashkon me vetveten dhe na lidh ndërmjet nesh përmes flijimit të tij shëlbimprurës.
(Katekizmi i Kishës katolike, Compendio, 287). Gjithnjë më 26 qershor kalendari
kishtar përkujton edhe shën Gjonin e shën Palin, martirë të Romës dhe shën Hozemarìa
Eskrivà de Balaguer, meshtar e themelues i Opus Dei-t; Të hënën, më 27 qershor,
kalendari kishtar do të përkujtojë shën Cirilin e Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor
i Kishës. Ky shenjt na kujton se njeriu njihet nga frytet e jetës së tij, d.m.th.
nga veprat. Mos dëgjo fjalët, shiko veprat – është kriter, të cilin na e mëson vetë
Jezu Krishti, që të jemi në gjendje ta dallojmë njeriun e vërtetë të Zotit nga profetët
e rremë. Të martën e ardhshme më 28 qershor, kalendari liturgjik përkujton
Shën Ireneun, ipeshkëv të Lionit e martir. Shën Ireneu, ishte njeri i fesë e bari
besnik i grigjës që i qe besuar. Nga Bariu i Mirë kishte mësuar ndjenjën e masës,
pasurinë e doktrinës, zellin misionar, cilësi që duhet t’i bëjmë tonat, për të qenë
miq të vërtetë të Jezusit. Të mërkurën që vjen, më 29 qershor, kremtohet
festa e shën Pjetrit dhe e shën Palit, Apostuj, pajtorë qiellorë të Qytetit të Amshuar,
Romës. Shën Pjetri e shën Pali kremtohen së bashku që në kohët e para të krishterimit.
Duhet t’u jemi mirënjohës, sepse me gjakun e tyre bënë të lulëzojë Kisha në shekuj.
Trupi i Shën Pjetrit pushon në paqe në Bazilikën e Vatikanit, ndërsa ai i Shën Palit,
në Bazilikën e Ostienses. Shenjtorët Apostuj kremtohen në shumë vise të Shqipërisë.
Katedralja e kryeqytetit i kushtohet Shën Palit, prandaj shenjti nderohet shumë nga
besimtarët e Tiranës, por kremtohet edhe në Bajzë, ku ngrihet katedralja e gjithë
Malësisë së Madhe, pastaj në Hajmel, në Shën Pjetër e në Dardhë, dhe në Gjakovë (Kosovë).
Të enjten, më 30 qershor do të kremtohen martirët e parë të Kishës romake,
festa e të cilëve na kujton thirrjen: “Bekuar qofsh, o Zot, Hyj besnik! Ti nuk i harron
kurrë ata që dhurojnë gjakun për dashurinë tënde!”. Të premten e ardhshme, më
1 korrik, kalendari Kishtar kremton festën e Zemrës së Krishtit, e po më 1 korrik
përkujton edhe shenjtorët Juli e Aroni, martirë të Britanisë dhe shën Aronin, vëllain
e Moisiut, kryeprift i Besëlidhjes së Vjetër. Më 1 korrik, Kisha Katolike i fton besimtarët
të luten për shenjtërimin e meshtarëve. Të shtunën, më 2 korrik, kalendari
kishtar do të kremtojë festën e Zemrës së Papërlyer të Vigjërës Mari. Po më 2 korrik
do të përkujtohet edhe shën Bernardini e shenjtorët martirë Procesi, Martiniani e
Eutiki, dishepuj të Jezu Krishtit. Këta qenë gati të paguanin çdo lloj çmimi e të
hiqnin dorë nga çdo kërkesë e çdo vlerë, për të mos u ndarë kurrë nga Zoti, të cilin
e dëshmuan duke derdhur gjakun për dashuri të Tij. Të dielën e ardhshme më
3 korrik, Kisha do të kremtojë të dielën e 14-të gjatë vitit kishtar e po më 3
korrik përkujtohet shën Toma Apostull, të cilit iu dhurua falas feja nga Krishti
i Gjallë, që fitoi kështu mbi të gjitha dyshimet e mosbesimet e nxënësit të vet. Me
shën Tomën apostull e si ai, jemi të ftuar edhe ne të shpallim: “Zoti im e Hyji im!”
me bindjen se kush beson në Zotin, do të shohë shëlbimin e tij. Kjo ditë është edhe
festa liturgjike e shën Leonit papë.