2011-06-27 17:40:55

Papa në Engjëllin e Tënzot: Eukaristia, zemër e Kishës, është kundërhelm për kulturën individualistike të kohës sonë.


(27.06.2011 RV)Dje, në qendër të vëmendjes gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, reflektimi plot pasion i Papës për vlerën e pallogaritshme të Eukaristisë. Duke kujtuar se, në shumë vende, kremtohej Korpi i Krishtit, Benedikti XVI nënvizoi se pa Eukaristinë nuk do të kishte më Kishë. Në vijim e quajti Eukaristinë një lloj antihelmi a ilaçi kundër mendësisë individualistike, që vijon të përhapet me shpejtësi në kohën tonë. Falënderoi, më pas, Zotin për tre të Lumët e rinj, shpallur dje në kryedioqezën e Hamburgut e tre, në atë të Milanos. Së fundi, kujtoi Ditën për Bamirësinë e Papës.RealAudioMP3

Eukaristia është zemra e Kishës. Rreh fort, plot dashuri. Këtë nënvizoi Benedikti XVI që, në ditën e Korpit të Zotit, e quajti Sakramentin e Korpit e të Gjakut të Krishtit “thesari më i çmuar i Kishës”:
Pa Eukaristinë, nuk do të kishte më Kishë. Është Eukaristia ajo, që e bën bashkësinë njerëzore, mister bashkimi, të aftë për t’ia çuar Zotin botës e botën Zotit”.
Shtoi, më pas, se Eukaristia i shndërron ata, që e marrin, e kështu Kisha është vërtet Sakrament, i cili i bashkon njerëzit me Zotin e me njëri –tjetrin:
“Në një kulturë, gjithnjë më individualistike, si kjo në të cilën jemi zhytur në shoqëritë perëndimore, me prirje për t’u përhapur në mbarë botën, Eukaristia përbën një lloj ‘kundërhelmi’ a ilaçi, që i shëron mendjet e zemrat e besimtarëve e mbjell vazhdimisht në ta, logjikën e bashkimit, të shërbimit, të ndarjes së përbashkët të të mirave materiale e shpirtërore, me një fjalë, logjikën e Ungjillit”.
Të krishterët e parë, në Jeruzalem, kujtoi Papa, ishin shenjë e dukshme e këtij stili të ri të jetës. Jetonin në vëllazëri e i përdornin bashkërisht pasuritë e tyre, në mënyrë që asnjë të mos ishte nevojtar. E ky stil jete e ka burimin e vet pikërisht tek Eukaristia:
Edhe në breznitë e mëpasme, në rrjedhë shekujsh, Kisha, pavarësisht nga kufizimet dhe gabimet njerëzore, vijoi të ishte në botë forcë e gjallë bashkimi. Mendojmë posaçërisht për kohët më të vështira, kohë prove: ç’ kuptim kishte, për shembull, për vendet që iu nënshtruan regjimeve totalitare, mundësia për të ndjekur Meshën e së dielës?”.
Papa ripohoi, me fjalët e martirëve të lashtë të Abitenës, se i krishteri pa Eukaristinë, nuk mund të jetojë:
Por zbraztësia, prodhim i lirisë së rreme, mund të jetë po aq e rrezikshme, e atëhere bashkimi me Korpin e Gjakun e Krishtit është ilaç për mendjen e vullnetin e njeriut, të cilin e ndihmon të rifitojë shijen e së vërtetës e të së mirës së përbashkët”.
Në përfundim Ati i Shenjtë iu lut Virgjërës Mari, “Gruas Eukaristike”, me fjalët e Papës Vojtila, të na pranojë në shkollën e saj, të na prijë, për ta bërë edhe jetën tonë plotësisht eukaristike e të na mësojë t’ia hapim zemrat Zotit e vëllezërve, duke u bërë, kështu, të aftë për ta shndërruar të keqen në të mirë, me forcën e dashurisë, që vihet e tëra në shërbim të unitetit, të bashkimit, të mirësisë vëllazërore.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI nënvizoi posaçërisht dëshminë e disa të Lumëve të rinj. Kujtoi se dje, në Lubek, në kryedioqezën e Hamburgut, u shpallën të Lum tre meshtarë martirë, të mbytur nga nazistët. Më pas, mendimi i Papës shkoi në Kishën ambroziane:
“Sot, në Milano, kremtohet lumnimi i don Serafino Morazone-s, famullitar shembullor në Lekeze, ndërmjet shekujve XVIII-XIX; i Atë Klement Vizmarës, misionar heroik i Pime-s (Instituti Papnor i Misioneve të Jashtme) në Birmani dhe i Enriketës Alfieri, rregulltare e dashurisë së krishterë, që u quajt “Engjëll” i burgut milanez të Shën Vitorit. Ta lumnojmë Zotin për këta dëshmitarë të ndritshëm të Ungjillit!”.
Benedikti XVI kujtoi edhe se dje, në Itali, kremtohej Dita kushtuar bamirësisë së Papës, që njihet me emrin ‘Oboli’ apo ‘Lëmosha e Shën Pjetrit’:
Dëshiroj të falënderoj me gjithë zemër ata që, me lutje e lëmoshë, e mbështesin shërbimin tim apostolik të bamirësisë. Shumë falemnderit! Zoti jua shpërbleftë me të mira”.
Së fundi, çasti i përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve. Një kujtim të posaçëm, për episkopatin dhe besimtarët polakë, të cilët kremtojnë 600-vjetorin e kushtimit të Katedrales së Vloklavekut. Historia e këtij tempulli, që u flet njerëzve me gjuhën e fesë së gjallë të shumë breznive – uroi Papa – qoftë inkurajim për të vijuar, në jetën e përditshme, rrugën e fesë së etërve, duke ecur, kështu, mbi gjurmët e vetë Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.