2011-06-27 06:58:47

Papa gjatë Engjëllit të Tënzot: Eukaristia, zemra e Kishës, është ilaçi ndaj kulturës individualiste të kohës sonë.


Papa Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan duke folur mbi festën e Korpit të Krishtit pohoi se Eukaristia, zemra e Kishës, është antidotë ndaj kulturës individualiste të kohës sonë. Duke reflektuar mbi vlerën e paçmueshme të Eukaristisë Shenjte, pa të cilën Kisha nuk do të ekzistonte, Papa nënvizoi se pikërisht Eukaristia është një lloj “antidote” kundër mentalitetit individualist që në kohën tonë po përhapet gjithnjë më shumë. Kështu, para një “kulture gjithnjë e më individualiste” të përhapur në “shoqërinë perëndimore” në të cilën jemi të zhytur dhe e cila “anon të përhapet në mbarë botën”, “logjika e Ungjillit” është si një “ilaç” i “bashkimit”, “shërbimit” dhe “bashkëndarjes”. Para këtij fenomeni, Benedikti XVI nënvizoi se, Eukaristia përbënë një lloj “antidote”, që vepron në mendje e në zemrat e besimtarëve e vazhdimisht mbjell në ta logjikën e bashkimit, të vëllazërimit, të shërbimit e të bujarisë, me pak fjalë është logjika e Ungjillit”. “Pa Eukaristi – vërejti Papa – Kisha thjesht nuk do të ekzistonte”, e përmes saj “Kisha është vërtet e realisht sakrament i bashkimit të njerëzve me Zotin dhe mes tyre”. “Të krishterët e parë, në Jerusalemn, - kujtoi Papa Racinger – qenë shenjë e qartë dhe e dukshme e këtij stili të ri të jetës, sepse jetonin vëllazërisht..e ndanin së bashku të mirat e tyre, në mënyrë që askush të mos ishte në skamje e në vështirësi. Nga vinte e gjithë kjo? – pyeti Benedikti XVI – Nga Eukaristia, do të thotë nga Krishti i Gjallë, realisht i pranishëm në mesin e dishepujve të vet e veprues me forcën e Shpirtit Shenjt”. Papa Racinger nënvizoi më pas rolin e Kishën në përhapjen e logjikës së bashkimit vëllazëror: E edhe në brezat që pasuan gjatë shekujsh, vuri në pah Papa – Kisha, me të gjitha kufizimet dhe gabimet njerëzore, ka vazhduar të jetë në botë forcë bashkimi e vëllazërimi. Të mendojmë posaçërisht në periudhat më të vështira, sprovat: çfarë domethënie kishte, për shembull, për Vendet e nënshkruara regjimeve totalitare, mundësia e pjesëmarrjes në Meshën e së Dielës! Sikur thonin martirët e lashtë të Abitenes: ‘Sine Dominico non possumus’ – Pa të Dielën do të thotë pa Eukaristinë e së dielës nuk mund të jetojmë. Kështu edhe zbrazësia e shkaktuar nga liria e rreme mund të jetë po aq e rrezikshme , e atëherë bashkimi, “kungimi me Korpin e Krishtin është ilaçi i inteligjencës dhe vullnetit, për të gjetur përsëri shijen e së vërtetës dhe të së mirës së përbashkët”, tha Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.