2011-06-27 05:52:27

Në Romë, simpoziumi i tetë ndërkombëtar i pedagogëve universitarë


150 relatorë ndërkombëtarë, mëse 400 pjesëmarrës, ardhur jo vetëm nga Evropa, por edhe nga Azia, Amerika e Afrika. Këto janë disa nga shifrat, që karakterizuan Simpoziumin ndërkombëtar të pedagogëve universitarë me temë “Universiteti dhe sfida e dijeve: cila është e ardhmja?”, i cili përfundoi dje në Romë. Takimi, që filloi të enjten, u organizua nga Zyra e dioqezës së Romës për Baritorinë universitare. Folëm me kryetarin e Komitetit shkencor të Simpoziumit, Çezare Mirabeli:
Këtë vit, reflektimi i kushtohej universitetit: ç’vend zë në çastin aktual, si në aspektin e punës kërkimore, ashtu edhe në atë të formimit e, në një moment krize, cili është roli që duhet të luajë universiteti. Mund të themi se, nga kjo pikpamje, patëm ndërhyrje të tipit shkencor, por edhe institucional, mbi rolin që mund të ketë universiteti në shoqëri, për ndërtimin e së ardhmes.
Në dritën e krizës aktuale, cila do të jetë e ardhmja e vetë universitetit?
Karakteristika e universitetit është kërkimi i dijes, përhapja e saj e formimi i të rinjve. Pra është një elemet i fuqishëm, jo vetëm i zhvillimit, por edhe i konsolidimit të një humanizmi në një këndvështrim pluralist. Cila është e ardhmja e universitetit? Nganjëherë, dalin në pah elemente krize, por duhet të jemi të vetëdijshëm për rolin dhe përgjegjësinë që kanë universitetet, si në punën kërkimore, ashtu edhe në formimin e brezave të rinj.
Sipas jush, në ç’mënyrë mund të kontribuojë Kisha në këtë fushë?
Mund të kujtojmë se është Kisha ajo, që e ka nxitur hapjen e universiteteve dhe e vazhdon akoma këtë punë. Tjetër element është ideja e universalitetit, që i përket Kishës dhe është ambicie e universitetit, si dije që përfshin të gjitha disiplinat. Përveç kësaj, Kisha i kushton vëmendje përhapjes së dijes pa kufij shtetërorë e kulturorë dhe i trajton njësoj marrëdhëniet ndërmjet studiuesve, shkencëtarëve e studentëve të vendeve e të kulturave të ndryshme. I rëndësishëm është edhe kujdesi ndaj humanizmit me bazë mbi të vërtetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.