Më 26 qershor kalendari kishtar përkujton shenjtin Hosemaria Eskriva de Balager, meshtar,
themelues i Opus Dei-t
Hosemaria Eskriva lindi në Barbastro të Spanjës më 9 janar 1902, studioi në Seminarin
e Longronos e të Saragozës, ku u diplomua në teologji e drejtësi, në sa më 28 mars
1925 u shugurua meshtar. Më 1927 u transferua në Madrid, ku punoi pa pushim në të
gjitha mjediset, duke iu kushtuar të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve. Më
2 tetorin e vitit 1928, Eskriva pa në vegim veprën që pritej prej tij. Ishte festa
e Engjëjve të Rojës. Don Hosemaria nuk do ta harronte kurrë tingëllimin e këmbanave,
që dëgjoi atë ditë! Mishel Doc, teologu të cilit iu besua nga Opus Dei hartimi i biografisë,
që iu dorëzua pjesëmarrësve në ceremoninë e shenjtërimit të tij, së bashku me doracakun
e shtegtarit, rikujton me këto fjalë, atë që ngjau atë 2 tetor, datë që do të shënonte
një kthesë vendimtare në jetën e Escriva De Balaguer dhe të qindra njerëzve. “Më
2 tetor, pas Meshe, don Hosemaria u kthye në dhomën ku banonte dhe nisi të vinte në
rregull shënimet e tij, vendimet, propozimet…E ndërsa shkruante, papritmas pa qartë
vullnetin e Zotit. Më vonë, kur do të fliste për këtë çast, do të përdorte gjithnjë
foljen "pashë" lidhur me këtë ndërhyrje të mbinatyrshme: ishte një vegim intelektual
i Opus Dei-t, ashtu siç e dëshironte Zoti e si do të ishte në rrjedhë shekujsh”. Në
dritën e Zotit - shkruhet në biografinë e tij - pa njerëz të çdo race, të çdo moshe
e kulture që e kërkojnë dhe e gjejnë Zotin, në sa jetojnë të përditshmen e tyre në
punë, në familje, në miqësitë, në kënaqësitë e orës kur çlodhen nga telashet e përditshme.
E kërkojnë Jezusin për ta dashur e për të jetuar sipas mënyrës së Tij, derisa të lëshohen
plotësisht në duart e Krishtit e të bëhen shenjtorë: shenjtorë të botës! Vegim tronditës,
në të cilin shihen të krishterë të zakonshëm, laikë që bëhen apostuj, që e shndërrojnë
botën, pa u shkëputur për asnjë çast prej saj! Ndërsa vijonte vegimi e Hosemaria kishte
rënë në gjunjë, i prekur thellë në shpirt, nisën të tingëllojnë këmbanat e Kishës
së Zojës së Engjëjve për të festuar Lajmëtarët qiellorë. Kumbonin në një mënyrë aq
të mrekullueshme, sa të mbeteshin përjetë në kujtesën e meshtarit. “Isha 26 vjeç,
kisha Hirin e Zotit e humorin e mirë. Vetëm kaq. E më duhej të themeloja Opus Dei-n"
- kujtonte më vonë meshtari, i cili vdiq më 26 qershor 1975, u varros në Kishën e
Shën Marisë së paqes në Romë, u shpall i lum më 17 maj 1992 e u shenjtërua më 6 tetor
2002, gjatë një kremtimi solemn, kryesuar nga Gjon Pali II në Sheshin e Shën Pjetrit,
në praninë e më se 300 mijë besimtarëve nga mbarë bota.