2011-06-27 19:01:57

Benedikti XVI nënshkroi dekretet për një grup të Lumësh të rinj, disa nga të cilët, martirë të nëntëqindës.


(27.06.2011 RV)Benedikti XVI, duke pritur sot paradite në audiencë kardinalin Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, nënshkroi dekretet, që kanë të bëjnë me njohjen e mrekullive për katër të Lum të ardhshëm, si dhe për një grup martirësh të nëntëqindës, pjesa më e madhe, të Luftës së Spanjës. Miratoi edhe njohjen e virtyteve heroike për një të Lum të pesëqindës, si dhe për shtatë Shërbëtorë e shërbëtore të Zotit.

Një prej të Lumeve, që Kisha do ta lartojë në nderimet e elterit, është meksikania Maria Anjeza e të Shenjtnueshmit Sakrament, themeluese e dy kongregatave, një femërore e një mashkullore: Misionaret Klarise të të Shenjtnueshmit Sakrament dhe Misionarët e Kishës Universale. E Lumja e ardhshme vdiq më 22 korrik 1981, në moshën 77 vjeçare.
E Lumja tjetër, me ndërmjetësimin e së cilës u bë një mrekulli, njohur nga Papa, është një nënë familjeje gjermane, Hildegarda Burjan, vdekur në Austri, në vitet ’30, pasi themeloi Shoqërinë e motrave të bamirësisë shoqërore.
Dy meshtarë, njëri italian e tjetri francez, që do të lartohen në elter, janë Marian Arçiero, jetuar në shtatëqindën, model i bamirësisë në klerin napolitan dhe domenikani, Gjovani Gjuzepe Lataste, që jetoi një shekull më pas, themelues i Të Tretit Urdhër të Shën Dedës në Betani, vdekur në moshën 37 vjeçare.
Ndërmjet Dekreteve, miratuar nga Papa, spikasin emrat e disa martirëve, të vrarë për shkak të urrejtjes kundër fesë, në sa shekulli XX shkruante disa nga faqet e veta më të zeza. Ipeshkvi spanjoll i Leidës, Huix Miralpeix vdiq më 1936 gjatë Luftës Civile, që e mbyti vendin në gjak. Të njëjtin fat pësoi rregulltarja spanjolle Gjuzepa Martinez Perez, një nga Bijat e Bamirësisë së Shën Vinçencit, që humbi jetën, së bashku me 12 shoqe, në kohë e vende të ndryshme, ndërmjet gushtit e dhjetorit të vitit të kobshëm 1936, kur disa komunistë shqiptarë luftonin përkrah martirizuesve, përvojën e të cilëve e praktikuan pastaj, me shumë ‘sukses’ në Shqipërinë e shekullit të kaluar, duke i siguruar një numër jo të paktë martirësh fesë së krishterë, feve të tjera, si edhe lirisë e demokracisë.
Të Lumit të ardhshëm, don Karlo Lampert, që i mbaroi ditët në kampin nazist të përqendrimit të Halle mbi Saale, i njihet martirizimi; ndërsa Kryeipeshkvit spanjoll të Valencies, Gjuzepe Maria Garthia Lahiguera, themelues i Kongregatës së Motrave kushtuar Krishtit Meshtar, vdekur më 1989, virtytet heroike. Virtytet heroike iu njohën edhe priftit indian, Mate Kadalikattil; meshtarit italian, Rafael Dimikoli; katër Shërbëtoreve të Hyjit, një polakeje, jetuar në shekullin XVI; tri italianeve, jetuar ndërmjet tetëqindës e nëntëqindës, si dhe priftit venecian, Gjovani Marinoni, jetuar ndërmjet fundit të katërqindës e fillimit të pesëqindës, nderuar prej kohe si i Lum nga bashkëvendasit, kulti i të cilit u miratua prej Klementit XIII, në vitin 1762, ndonëse nuk ishte kremtuar ndonjë ceremoni e mirëfilltë për Lumnimin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.