2011-06-27 05:53:43

Atë Lombardit: Eukaristi e globalizim


Në festën e Solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit, ditën e enjte, Papa Benedikti XVI, siç është tradita, kremtoi Meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran e udhëhoqi procesionin e rrugës Merulana, që çoi Hosten e shuguruar, Eukaristinë, deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në praninë e qindra besimtarëve. Eukaristia, tha Papa në atë rast, e bën njeriun të ngjashëm me Jezu Krishtin e nëse ndjek gjurmët e Zotit, e bën dhuratë për të tjerët, mjet bashkimi për të gjithë familjen njerëzore. Eukaristisë dhe rëndësisë së saj për bashkimin e njerëzve, ia kushton editorialin e sotëm, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
“Një ‘dinamizëm, që e shndërron realitetin në të gjitha përmasat e tij, kozmike, njerëzore e historike’. Një dinamizëm dashurie, që e ka zanafillën në jetën trinitare të Zotit dhe që mbërrin tek ne përmes zemrës së Krishtit. E është kaq i fortë, sa kapërcen ndarjet, na tërheq në bashkimin me jetën e Zotit, na çliron nga individualizmi. Eukaristia është udha konkrete, përmes së cilës, kjo dashuri përhapet në Kishë e në botë, burimi, që ushqen vazhdimisht praninë e Kishës në shoqëri, impenjimin e përgjegjshëm të të krishterëve ‘në ndërtimin e një shoqërie solidare, të drejtë e vëllazërore’, në veçanti, në kohën e globalizimit. Duhet ta bëjmë të pranishme dashurinë e vërtetë në kohën e globalizimit në rritje të njerëzimit, që ky të mos humbasë në pyllin e ‘konfuzionit, të individualizmit, të padrejtësive të të gjithëve kundër të gjithëve’.
Për këtë na foli Papa Benedikti XVI, duke kremtuar solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit, për këtë u lut gjatë, në heshtje, para Hostes së shuguruar, çuar në procesion përgjatë rrugëve të Romës. E përfundoi, me fjalët:
‘Pa iluzione, pa utopi ideologjike, ne ecim nëpër rrugët e botës, duke mbartur brenda nesh Korpin e Zotit…e duke parë në horizont botën e re, në të cilën mbretërojnë paqja dhe drejtësia. Ai është atdheu ynë i vërtetë’. Në fe, përmasat njerëzore, historike e kozmike ndërthuren dhe shkrihen njëra me tjetrën. Bashkimi eukaristik është për të mirën e të gjithëve, për të mirën e botës, që në fund të fundit, gjithçka të gjejë kuptim e shpëtim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.