2011-06-27 05:53:56

Ambasadori izraelit pranë Selisë së Shenjtë, Mordekai Levi: “Dëshira e Vatikanit për t’i shpëtuar hebrenjtë, është fakt i pakundërshtueshëm".


“Do të ishte gabim të mendoje se kuvendet rregulltare të krishtera, gjatë Luftës II Botërore, i ndihmuan hebrenjtë me nismën e tyre, pa shtytjen dhe ndihmën e vetë Vatikanit”. E theksoi këtë, në Romë, ambasadori i Izraelit pranë Selisë së Shenjtë, Mordekai Levi, ndërsa i dorëzonte medaljen “I drejtë ndërmjet Kombeve”, sivëllezërve të Don Gaetano Piçinit (1904-1972) rregulltar orionin i Veprës së Vogël të Provanisë Hyjnore, që u shpëtoi jetën shumë hebrenjve, duke rrezikuar të veten. Do të ishte gabim të deklarohej se Vatikani dhe Papa ishin kundër veprimtarisë së palodhur të rregulltarëve e rregullareve në ndihmë të hebrenjve, në një kohë kaq tragjike për jetën e tyre – deklaroi ambasadori Levi. Selia e Shenjtë i luajti të gjithë gurët. Vërtet nuk mundi ta shmangë nisjen e trenit për në Aushvic, më 18 tetor 1943, tri ditë pas rrethimit të getos. Është fakt se hebrenjtë romakë prisnin mbrojtje nga ana e Papës, por është fakt edhe se ai i 18 tetorit ishte treni i parë e i fundit që u nis për në Aushvic. Për ambasadorin Levi, dëshira e Vatikanit për t’i shpëtuar hebrenjtë, është fakt.Gjatë takimit të djeshëm u dëgjuan edhe shumë dëshmi. Ndërmjet tyre, edhe ajo e një hebreu, aso kohe 15 vjeçar, sot meshtar katolik, që shpëtoi nga vdekja pikërisht me ndihmë të don Piçinit. Ishte meshtar i vërtetë – rrëfeu don Gjuzepe Sorani – që i respektoi thellësisht bindjet e mia fetare e më riktheu në jetë pas viteve të gjata të mërgimit, si hebre. Me sjelljen e tij, më bëri të krishterë, e edhe rregulltar orionin. E kjo, sepse ai e jetonte dashurinë e Zotit për të afërmin në shkallën më të lartë, ashtu si kërkon vetë Bibla. Një provë e re e fitores së dashurisë së krishterë, mbi krimin nazist; e solidaritetit, mbi kampet e përqendrimit – u kujtua në këtë kremtim prekës, në të cilin morën pjesë autoritete hebraike, të krishtera e posaçërisht, sivëllezërit orinionë të Njeriut, që u dekorua pas vdekjes, për një vepër që nuk vdes kurrë! E që nuk mund të mohohet!







All the contents on this site are copyrighted ©.